Ballina Aktualitet Më 22 shtator nis vaksinimi kundër gripit, 280 mijë doza të siguruara

Më 22 shtator nis vaksinimi kundër gripit, 280 mijë doza të siguruara

10
0

Me afrimin e vjeshtës pritet të shtohen edhe virozat e stinës tek fëmijët.

Për këtë arsye mjekët pediatër i bëjnë apel prindërve të vaksinojnë fëmijët e tyre, në mënyrë që ta kalojnë më lehtë periudhën e virozave në vjeshtë, por edhe në dimër.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu përcolli në rrjetet sociale disa këshilla nga mjekja pediatre Dr. Meribane Zela, në prag të nisjes së Programit Kombëtar të Vaksinimit, më 22 shtator.

“Kryerja e vaksinës së gripit tek grupmoshat pediatrike është e rekomandueshme nga të gjitha protokollet e fundit, duke përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetësisë, Akademinë Pediatrike Amerikane, dhe nga shoqatat pediatrike europiane”, tha mjekja pediatre Zela.

Sipas saj, aplikimi i vaksinës së gripit rekomandohet tek të gjitha moshat pediatrike nga 6-muajsh e sipër.

“Do t’iu sugjeroja të gjithë prindërve veçanërisht prindërve që kanë fëmijë me sëmundshmëri kronike që janë edhe më të riskuarit e moshave pediatrike, t’i sjellin fëmijët e tyre për aplikimin e vaksinës së gripit”, tha Zela.

Këtë vit, për herë të parë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ofron për të gjithë qytetarët mundësinë e zgjedhjes së vendit dhe kohës së vaksinimit, përmes platformës “e-Albania”.

MSHMS ka siguruar 280 mijë doza të vaksinës kundër gripit sezonal, të cilat janë shpërndara në të gjitha qendrat shëndetësore të vendit.