Kryeministri Edi Rama ka dorëzuar zarfin me emrat e kabinetit të ri në presidencë për t’u dekretuar; duke arritur rreth 80 emërime ministrash në 4 qeveritë e tij.
Shtatorin e 12 viteve më parë kryetari i PS-së krijoi qeverinë e tij të parë në koalicion me LSI-në, e cila shënjohet si më e madhja në 4 mandate me 20 anëtarë, 19 ministri dhe një zëvëndëskryeministër.
Numri i ministrive erdhi në tkurrje, me ulje ngritje ndër vite, derisa vendosi të emërojë në mandatin e katërt 17 ministra. Risia që tërhoqi vëmendjen globale ishte sidomos Diella, e cila i përket botës së inteligjencës artificiale.
Në pozicionin e pandryshueshëm qëndron veç ai në 12 vite kryeministër i Shqipërisë, ndërsa ministrja e katër qeverive pa ndërprerje të Ramës rezulton të jetë vetëm Mirela Kumbaro. U emërua në 2013 si ministre e Kulturës, dikaster që e drejtoi edhe në mandatin e dytë, për të kaluar më pas në krye të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, e këtë herë i besohet Ministria e Arsimit.