Ballina Aktualitet Vendimi i gjykatës që ul në tokë “Air Albania”, ja 10 faturat...

Vendimi i gjykatës që ul në tokë “Air Albania”, ja 10 faturat miliona euro që firma ajrore duhet të paguajë: I.B.N na mbifaturoi

0
23

Flota ajrore “Air Albania”, e reklamuar me shumë pompozitet si krenaria e Shqipërisë, rezulton të jetë zhytur në borgje financiare pa kthim pas, duke çuar kompaninë në një seri procesesh gjyqësore në gjykatat Shqiptare dhe vende të ndryshme europiane.

Mes shumë detyrimeve financiare mbi qeratë e avionëve të mara në “Tukish Airlines” dhe kompani të tjera Amerikane, tashmë një detyrim mjaft i majmë që përllogaritet diku tek 4 milion euro është ai i kateringut ushqimor.

Gazetari Elton Qyno, ka mësuar përmes dokumenteve gjyqësore se bëhet fjalë për 10 fatura tatimore të lëshuara nga kompania “I.B.N” e Mirela Nurçes drejt kompanisë “Air Albania”.

Faturat tatimore të lëshuara dhe të papaguara nga “Air Albania”, variojnë nga 1 korriku 2023 deri në 16 tetor 2024.

Ndërsa nga ana tjetër “Air Albania” pretendon dhe akuzon Mirela Nurçen se ka mbifaturuar qëllimisht kompaninë ajrore, duke luajtur me mashtrimin e racioneve për numër udhëtarësh dhe mashtrim përmes kursit të këmbimit valutor.

Bëhet fjalë për faturat tatimore si më poshtë vijon:

1.            Faturë Tatimore me Nr.4/2023 datën 1 Korrik 2023

2.            Faturë Tatimore me Nr.6/2023 datë 12 shtator 2023

3.            Faturë Tatimore me Nr.10/2024 datë 14 Gusht 2024 me vlerë financiare 59,736,895,48 lekë.

4.            Fatutë Tatimore me Nr. 12/2024 datë 20 gusht 2024 me vlerë financiare 24,614,175,88 lekë.

5.            Faturë tatimore me Nr.14/2024 datë 11 shtator 2024 me vlerë financiare 38,303,161,92 lekë.

6.            Faturë tatimore me Nr.1/2024 datë 12 janar 2024.

7.            Faturë Tatimore me Nr.3/2024 datë 19 shkurt 2024.

8.            Faturë tatimore me Nr.5/2024 datë 19 shkurt 2024.

9.            Faturë tatimore me Nr.6/2024 datë 16 maj 2024.

10.          Faturë Tatimore me Nr.15/2024 datë 16 tetor 2024.

“Air Albania”, që zotërohet nga Sinan Idrizi i skeduar nga policia dhe prokuroria e Durrësit për kontrabandë cigare, shtetasi turk Sinan Isik dhe autoriteti shtetëror “Albcontrol” kanë refuzuar të paguajnë milionat e lekëve për ushqimin catering, duke argumentuar se kompania e Mirela Nurçes, i ka mbifaturuar qëllimisht faturimet për një numër mbi 300 mijë udhëtarësh.

Ky problem ka sjellë që të dyja palët si “Air Albania” dhe kompania e ushqimit “I.B.N” të përfshihen në kontradikta të forta mes tyre, ku herë pas here, janë zhvilluar negociata për kalimin e kësaj situate të vështirë financiare, por sërish problemi nuk është zgjidhur.

Pjesë e këtyre negociatave është bërë dhe studio përmbarimore “QEVA”, e Erzen Qevës, i cili i ka kërkuar drejtuesve të kompanisë “Air Albania”, që ta zgjidhnin vullnetarisht problemin dhe kryheshin pagesat përmes kësteve.

Por edhe kjo strategji nuk ka funksionuar duke çuar situatën në dyer e gjykatës, ku tashmë fituese ka dalë kompania “I.B.N” e Mirela Nurçes, pasi gjykata e Apelit Tiranë, urdhëron “Air Albania” të paguajë të 10 faturat tatimore me një vlerë miliona euro.

Sipas dokumenteve të sigurt dy kompanitë e mësipërme në datën 15 Tetor 2019, kanë hyrë në një marrëdhënie juridik tregtare, duke nënshkruar Marrëveshjen Standarde për Shërbimin Katering gjatë Fluturimit.

Referuar kësaj marrëveshje, shoqëria “I.B.N” merrte përsipër ti ofronte shoqërisë “Air Albania” shërbimin e kateringut në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.

Juristët dhe financierët e “Air Albania” akuzojnë kompaninë e biznesmenes Mirela Nurçe, se fatura janë fryrë qëllimit duke përdorur kursin e këmbimit valutor por dhe duke rritur artificialisht numrin e udhëtarëve.

Sipas tyre kompania e Mirela Nurçes ka faturuar më shumë racione ushqimore se sa kishte udhëtarë në avion.

“…rezulton se kursi i këmbimit i përdorur nga ana e shoqërisë “I.B.N” SHPK është dukshëm më i lartë nga kursi zyrtar i këmbimit i përcaktuar nga Banka e Shqipërisë, në ditët respektive kur janë lëshuar faturat tatimore të shitjes, duke sjellë një mbifaturim për periudhën gusht 2022-nëntor 2024, në vlerën prej ALL 133,839,821 lekë të reja. Pra, vlera e fryrë e faturave tatimore të shitjes të lëshuara nga shoqëria “I.B.N” SHPK ka ardhur si rrjedhojë e përdorimit të qëllimshëm të një kursi këmbimi më të lartë në raport me kursin zyrtar të këmbimit të përcaktuar nga Banka e Shqipërisë, si organi kompetent për “hartimin, miratimin dhe zbatimin e regjimit të këmbimit valutor, si dhe politikën e kursit të këmbimit të valutave në Republikën e Shqipërisë…”-thuhet në dokumentacionin e siguruar.

Përveç kësaj, “Air Albania” pretendon se duhet theksuar edhe fakti që përcaktimi i sasisë së produkteve (menuve) që do të shiteshin nga shoqëria “I.B.N” SHPK tek shoqëria “Air Albania” SHPK, realizohej duke marrë parasysh numrin e pasagjerëve në fluturime të caktuara.

Duke filluar nga muaji janar 2021 dhe deri më nëntor 2024, shoqëria “I.B.N” ka faturuar shoqërinë “Air Albania” në vlerën totale mbi 1 miliard lekë.

Referuar faturave tatimore të shitjes të lëshuara nga shoqëria “I.B.N” për periudhën Janar 2021 – Tetor 2024, rezulton se kjo shoqëri ka faturuar për një numër total prej 2,072,304 pasagjerësh (nga të cilët 1,891,542 Economy Class dhe 180,762 Business Class).

Sipas “Air Albania”, ky fakt del i qartë nëse i referohemi sasisë së njësive (copëve), mbi bazën e të cilave ka faturuar shoqëria “I.B.N” SHPK.

Duke qenë se çdo njësi (copë) i korrespondon një pasasgjeri, atëherë duke iu referuar sasisë totale të njësive (copëve), mund të përftohet edhe numri total i pasagjerëve, për të të cilat ka faturuar shoqëria “I.B.N”.

Nga verifikimi i sistemit të brendshëm të shoqërisë “AIR ALBANIA”, për periudhën janar 2021 tetor 2024, rezulton një numër prej 1,759,922 pasagjerësh (nga të cilët 1,688,322 Economy Class dhe 71,600 Business Class). Pra, rezulton një diferencë prej 312,382 pasagjerësh (nga të cilët 203,220 Economy Class dhe 109,162 Business Class).

“…nëse do të merrnim si evidencë çmimin e përdorur për njësi në faturat tatimore të shitjes të lëshuara nga shoqëria “I.B.N” dhe do ta shumëzonimin me numrin real të pasagjerëve, të cilët kanë përdorur shërbimet e “AIR ALBANIA”, duke iu referuar verifikimeve të kryera në sistemin e brendshëm të saj, do të rezultonte një vlerë prej 866,980,328 lekë të reja. Pra, e përkthyer në kosto financiare, diferenca prej 312,382 pasagjerësh derivon në një diferencë prej 186,991,989 lekë të reja që rezulton si e mbifaturuar nga shoqëria “I.B.N…”-thuhet në dokumentet e siguruara nga gazetari Elton Qyno.

Financierët e kompanisë ajrore, thonë se problematikat e mësipërme, sa i takon vlerës së faturave tatimore të shitjes të lëshuara nga shoqëria “I.B.N”, nuk janë konstatuar nga ana e shoqërisë “Air Albania”, duke u nisur edhe nga mirëbesimi i krijuar si rrjedhojë e kohëzgjatjes së marrëdhënies kontraktore midis palëve.

“…faturat tatimore të shitjes të lëshuara nga shoqëria “I.B.N” nuk janë pranuar në mënyrë të shprehur nga ana e shoqërisë “Air Albania”, por ato rezultojnë te jenë pranuar në mënyrë automatike nga sistemi elektronik, ku realizohet pranimi/refuzimi i faturave, për shkak të kalimit të afatit kohor, brenda të cilit duhet të realizohet refuzimi i faturës. Pavarësisht dijenisë së plotë, lidhur me vlerat e fryra në mënyrë artificiale të faturave tatimore të shitjes, shoqëria “I.B.N”  i është drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me disa kërkesa të ndryshme për lëshimin e urdhrave të ekzekutimit për disa Fatura Tatimore Shitje (elektronike)…”-thuhet në dokumente.

Gjykata e Tiranës ka lëshuar titujt e ekzekutimit për 10 faturat tatimore, ndërsa përmbaruesi Erzen Qeva, ka nisur praktikën.

Kompania “Air Albania” duke mos rënë dakord me veprimet përmbarimore, vendosi të kundërshtojë ato në gjykatën e Tiranës, e cila pranoi kërkesën dhe pezullojë veprimet përmbarimore të Erzen Qevës.

Por vendimi i datës 10 janar 2025, që pezullonte veprimet përmbarimore është kundërshtuar në gjykatën e Apelit Tiranë nga kompania “I.B.N” dhe studio përmbarimore “QEVA”, të cilat kërkuan lejimin e ekzekutimit të 10 faturave përmbarimore.

Tashmë gjykata e Apelit, e kryesuar nga gjyqtaret Marsela Dervishi, Ornela Naqellari dhe Alma Kolgjoka, vendosën të prishin vendimin e shkallës së parë dhe lejojnë ekzekutimin përmbarimor të 10 faturave tatimore të lëshuara nga “I.B.N” drejt kompanisë ajrore “Air Albania”.