Qeveria belge planifikon të angazhojë ushtrinë në qytetet e mëdha për shkak të një rritjeje të ndjeshme të dhunës nga bandat e drogës. Belgjika dëshiron të ndjekë shembullin e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe të angazhojë ushtrinë për të përmirësuar sigurinë e brendshme në vend.
Ushtarët belgë mund të patrullojnë së shpejti në qytetet e mëdha të Belgjikës për të frenuar krimin e lidhur me drogat. Qeveria belge po punon për një ligj që do të krijojë kornizën ligjore për këtë, njoftoi Ministri i Brendshëm Bernard Quintin. “Ushtria ka për detyrë të mbrojë integritetin e territorit kombëtar”, i tha ai gazetës “De Standard”. “Zakonisht ajo e bën këtë jashtë kufijve tanë, por lufta kundër krimeve me droga lidhet gjithashtu me integritetin e territorit kombëtar.” Quintin tha se trupat e ushtrisë pritet të dislokohen në Bruksel “sa më shpejt të jetë e mundur”.
Përplasje mes klaneve të drogës
Përdorimi i fjalës “luftë” nga ministri liberal tregon se ç’përmasa ka arritur skena e drogës, dhe veçanërisht përplasjet midis klaneve të drogës në kryeqytetin belg. Vitet e fundit në Bruksel është rritur vazhdimisht numri i të shtënave në rrugë, kryesisht me armë ushtarake si kalashnikovë. Sipas Zyrës së Prokurorit Publik të Brukselit deri në mesin e gushtit të këtij viti u regjistruan 57 të shtëna dhe katër vdekje.
Brukseli duhet të “zgjohet”
Në një konferencë sensacionale shtypi në mes të muajit gusht kryeprokurori i Brukselit, Julien Moinil, i bëri qeverisë publikisht thirrje për ndihmë: “Është vetëm çështje kohe para se të ketë viktima të pafajshme. Qeveria dëgjon, po nuk po bën asgjë.” – tha ai. Brukseli “më në fund duhet të zgjohet”, kërkoi kryeprokurori Moinil. Të flasësh për “luftë klanesh të drogës” është pak, tha ai. Kushdo në Bruksel mund të goditet nga një plumb qorr këto ditë. Moinil i ka intensifikuar hetimet në skenën e drogës. Tani ai është nën mbrojtjen e policisë pasi ka marrë kërcënime të shumta me vdekje nga klanet e drogës./DW