Përgatiti Avni Alija
(Fragment nga: Byung – Chul Han “Shpëtimi i së bukurës“, S. Fischer, Frankfurt am Main, 2015)
E Lëmuara është shenja e së tashmes. Ndërlidhë skulpturat e Jeff Koons-it, iPhon-in dhe Brazilian Waxing. Përse e venerojmë sot të Lëmuarën si diçka të bukur? Përtej të ndikuarit estetik, e lëmuara pasqyron sot një imperativ përgjithësues në shoqërinë njerëzore. Mishëron drejtpërdrejt një lloj pozitiviteti shoqëror. E Lëmuara nuk plagosë. Nga e lëmuara nuk pritet rrezatim refuzues. Tërheq Like. Objekti i lëmuar nuk i mbetet borgj një të Kundërte. E mënjanon secilin negativitet.
Estetikën e së lëmuarës e ndjek edhe Smartphone. Smartphone i LG Flex është bile i mbështjellun me një lloj lëkure vetëshëruese, e ky mbështjellës është në gjendje, mbas një kohe të shkurtër, t’i shlyejë gërrithjet e shkaktuara. Është pra njëkohësisht edhe i palëndueshëm. Lëkura artificale e bën dhe e mban Smartphone-in të palëndueshëm. Është fleksibël dhe i lakueshëm. Lehtas së brendshmi i kthyem. Përputhet perfekt në fytyrë dhe në komblik. Këto përputhje e këto paprani refuzimesh janë shenjë dalluese e Estetikës së të Lëmuarës.
E Lëmuara nuk ndërkufizohet vetëm në pamjen e jashtme të aparatit digjital. Edhe të komunikuarit përmes aparatit digjital do të lëmohet, ngaqë, para së gjithash, janë pëlqyeshmëritë dhe pozitivitetet ato që këmbehen në këtë mënyrë. ‘Sharing and like’ paraqesin një sapun rëshqitës në të komunikuarit aktual. Negativitetet eliminohen, sepse janë pengesë reale në të komunikuarit e përfulitun.
Jeff Koons, pa dyshim njëri nga krijuesit më të suksesshëm të ditëve tona, është mjeshtër i të Sipërfaqshmes. Edhe Andy Warhol thoshte se i përkiste të së bukurës, të sipërfaqshmes së lëmuar, porse arti i tij përngjitej me negativitetin e vdekjes dhe përmbysjeve. E sipërfaqshmja në artin e Warholit nuk është plotësisht e lëmuet. Seria „Death and Disaster“ sendërtohet përmes negativitetit. Tek Jeff Koons nuk ka ‘disastër’, nuk ka lëndim, nuk ka thyerje, as plasaritje, e, as qepje prandaj nuk ka. E gjitha rrëshqet përmes nëpërkalimeve të buta. Gjithçka duket e rrumbullakësuar, e fërkuar, e lëmuar. Arti i Jeff Koons-it i përket të sipërfaqshmes së lëmuar dhe ndikimit të saj të drejtëpërdrejtë. Arti i tij nuk lë vend për mejtim, për domethënie, për dekodim. Është një art i Like-ve.
Jeff Koon-i thotë, kundruesi i veprës le ta nxjerrë nga shpirti vetëm një „vuah“. Duke e vështruar artin e tij, thuajse nuk mbetet vend për tjetër, pos „vuah“-it, as për vlerësim, as për interpretim, astrohë hermeneutike, astrohë refleksioni, astrohë të menduari. Ky art mbetet vetëdijshëm infantil, banal, këmbëngulës pa ndonjë shtytje, i patronditje dhe i pangarkesë. I zbrazët nga secila thellësi, a jothellësi, i padomethënie nga brenda. Motoja e tij tingëllon: „përqafim i vrojtuesit“. Asnjëtrohë tundim, lëndim apo trembje. Arti është, simbas Jeff Koonit, asgjë tjetër përveçse „bukurshmëri“, „kënaqësi“ dhe „komunikueshmëri“.
Të vështruarit e skulpturave të lëmuara të Koonit zgjon te kundruesi ndjesinë „e një haptizmi të detyrueshëm“, ato të shtyejnë t’u afrohesh e t’i ndrydhësh, bile të kaplon dëshira t’u hidhesh e t’i lëpish. Se, artit të tij i mungon secili negativitet që do të afronte një distancë meditimi. Është pozitiviteti i së lëmuarës që shtyn drejt veprimit haptik. E lëmuara i bën ftesë kundruesit të shlyejë çdo distancë mejtimi, i bën ftesë për një ‘Touch’. Porse, një vlerësimi estetik i paraprin gjithherën një distancim kontemplativ. E, arti i së lëmuarës shemb këtë hapësirë./ ObserverKult