Ballina Kosovë Dëshmia/ Ish ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit: Hill, ishte kundër UÇK-së,...

Dëshmia/ Ish ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit: Hill, ishte kundër UÇK-së, përpiqej të dëmtonte figurën time dhe të Albrightit

18
0

Gjatë dëshmisë së tij,  ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin tha se ndërmjetësuesi i SHBA-së për Kosovën në Rambuje, Christopher Hill, kishte bërë përpjekje të dëmtonte figurën e tij, por edhe të sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.

“Christopher Hill kishte njëanshmëri që e vëreja gjatë gjithë kohës së tij si udhëheqës – njëanshmëri në favor të LDK-së dhe kundër UÇK-së. Unë nuk kisha asnjë anshmëri dhe isha i ftuar të punoja me udhëheqësin e zgjedhur të organizatës”.

“Christopher Hill këtu po tregonte njëanshmëri, po përpiqej të më zvogëlonte rolin tim, e bëri këtë në mënyrë të përsëritur dhe po ashtu u përpoq ta zvogëlonte edhe sekretaren Albright para gazetarëve, duke pretenduar gabimisht se ajo e kishte favorizuar udhëheqësin e delegacionit të UÇK-së në Rambuje, kur në fakt ishte delegacioni shqiptar i Kosovës që e kishte zgjedhur atë si udhëheqës, dhe miratimi i tij ishte i domosdoshëm që ne të arrinim objektivat”, tha Rubin.

Prokurori e pyeti nëse Albright e kishte inkurajuar të krijonte marrëdhënie me Thaçin gjatë Konferencës së Rambujesë dhe Rubin konfirmoi se po, duke pranuar se “përqendrimi i tij ishte veçanërisht te Thaçi”.

Prokurori pyeti, gjithashtu, nëse i kishte dhënë këshilla Thaçit për veshjen, por Rubin tha se kjo nuk ishte domosdoshmëri.

Ai tha se Hill kishte folur për këtë çështje.

Kush është Christopher Hill?

Christopher Hill është një diplomat karriere i SHBA-së, i cili shërbeu si i dërguar special gjatë luftës në Kosovë dhe mori pjesë drejtpërdrejt në negociatat e Rambujesë në vitin 1999.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë në qershor të këtij viti, Hill tha se Kosova dhe Serbia duhet t’i zgjidhin vetë problemet, pasi SHBA-ja nuk mund të ndërhyjë më si dikur.

I pyetur për perceptimin e njëanshmërisë gjatë kohës si ambasador në Serbi (2022–2024), Hill tha:

“Qasja ime është të veproj sipas mënyrës se si Qeveria e SHBA-së dëshiron që çështjet të trajtohen. Ne kemi shumë interesa në Serbi që nuk kanë të bëjnë fare me Kosovën”.

Deshmia

Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, dëshmitari i parë i mbrojtjes së Hashim Thaçit, dëshmoi për disa orë në Hagë mbi njohjen, takimet dhe komunikimet me Thaçin dhe pjesëtarë të tjerë të UÇK-së.

Ai e përshkroi rolin e Thaçit në UÇK si politik, duke theksuar se nuk kishte autoritet të plotë mbi komandantët.