Nga Erl Kodra
Ajo që ndodhi sot në Gjykatën Speciale në Hagë ku po gjykohen ish-krerët e UÇK-së është një ndër ngjarjet më të mëdha në historinë e pas-luftës. James Rubin, ish-ndihmës i Sekretarit të Shtetit nën Presidentin Bill Klinton, dëshmoi se çfarë ka ndodhur realisht gjatë luftës së Kosovës, dhe përpjekjet amerikane për të shpëtuar Kosovën – ashtu siç e shpëtuan.
Ngjarjet kanë ndodhur, dhe megjithse ato ngjarje i kemi jetuar – ne nuk kishim informacione të detajeve se si janë zhvilluar ato realisht, në terrenin konkret, kur rreth 2 milionë shqiptarë të Kosovës gjendeshin mes jetës dhe vdekjes. Ne nuk i dinim detajet e dramës që po zhvillohej, por ne shihnim vetëm filmin që shpërfaqej para nesh në formën e një ploje biblike mbi një popull që po linte shtëpitë në flakë për të shpëtuar jetët e tyre.
Ne nuk e dinim detajet e dramës që po përjetonte delegacioni shqiptar në Rambuje, dhe vendimin që ata duhej të merrnin; të nënshkruanin apo jo një Marrëveshje që, me gjasë, ose do t’i varroste shpresat e tyre për liri dhe pavarësi – çka do të përkthehej në një tradhëti kombëtare – ose do të ishte rruga e vetme për të arritur lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
James Rubin foli. I qetë dhe i saktë, ai shpjegoi se çfarë kishte ndodhur para dhe pas luftës. Dëshmia e tij kishte dy përmasa kryesore: ai shpjegoj me detaje rolin e Hashim Thaçit dhe ish-krerëve të UÇK, si dhe rolin e Shteteve të Bashkuara në historinë ekzistenciale të Kosovës. Dëshmia e tij në vetë të parë tregoi qartë prapaskenat dhe kontekstin e atyre ngjarjeve, me detajet, dritëhijet dhe dyshimet e protoganistëve, por që erdhën duke u qartësuar se UÇK po bënte një luftë të drejtë, në mbrojtje të një populli që po vuante masakrat dhe spastrimin etnik nga një shtet gjenocidist. Ai tha se UÇK ishin parnerët e SHBA në terren, dhe se porosia e tyre e vetme për krerët e saj ishte që të mos përziheshin me asnjë lloj ekstremizmi, politik ose fondamentalist islamik.
Detajet e historisë së treguar prej James Rubin ishin brilante – dhe megjithse ato ishin të kushtëzuara në formën e pyetjeve në kontekste të caktuara – ato shpërfaqen qartë një të vërtetë të madhe: se lufta e shqiptarëve ishte e drejtë, dhe se UÇK nuk ka kryer asnjë krim për të cilat akuzohet. Ato dy vite që Kosova po bënte luftën e saj për liri dhe pavarësi, institucionet e shtetit më të fuqishëm në botë ishin në terren, në kontakt të ngushtë me faktorin shqiptar. SHBA i orientoi dhe i drejtoi shqiptarët drejt lirisë dhe pavarësisë, duke korrigjuar kështu padrejtësinë historike që fuqitë e mëdha kishin bërë kundër tyre.
Tani dy fjalë për Albin Kurtin. Ky burrec që po e armiqëson Kosovën me Shtetet e Bashkuara, që i ka çuar në zgrip marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, sot mori goditjen më të madhe në idiotësinë dhe miopinë e tij politike:
Shtetet e Bashkuara janë aleate të natyrshme me shqiptarët, këtu e 100 vjet ma përpara. Dhe kjo miqësi ka kaluar prova të padiskutueshme edhe gjatë Luftës së Kosovës, dhe se nuk ka Kurt që mund ta prishë këtë aleancë të shenjtë.