Ballina Aktualitet ‘Garderoba e artë’ dhe abuzimet me RTSH-në

‘Garderoba e artë’ dhe abuzimet me RTSH-në

20
0

RTSH është kthyer në një “gropë thithëse”, me neglizhenca prej drejtuesve, me shuma të mëdha të kërkuara për emisione dhe me abuzimet shqetësuese për një institucion që mbahet më këmbë me paratë e taksapaguesve.

Përmasa të mëdha veçanërisht, këto probleme të brendshme të RTSH-së, morën në çastin kur persona të kontraktuar për projekte nga jashtë strukturës së transmetuesit, filluan të ankoheshin për rrogat e prapambetura me muaj.

Prej tyre, një ndër, ishte Kozeta Kurti, autore dhe drejtuese e një projekti në formë emisioni javor në RTSH, e cila shprehu indinjatën për lënien pa pagesë për pesë muaj për punën e saj, duke ngjallur kështu zhurmën e madhe mediatike rreth rastit.

Megjithatë, e pyetur për rrethanat e situatës, drejtuesja e RTSH-së, Eni Vasili, pohoi për Albanian Post se ka pasur probleme me pagesat, por vetëm kur bëhet fjalë për honorarë të punonjësve të projekteve të jashtme dhe jo lidhur me punonjësit e brendshëm të RTSH-së, për të cilët shpjegoi se data e pagesës së tyre nuk ka lëvizur asnjëherë dhe institucioni ka qenë korrekt.

Rasti Kurti

Kozeta Kurti, e cila kërkon të shpaguhet prej pesë muajsh për disa seri emisionesh të realizuara, është pak të thuhet se kërkon shuma të padëgjuara për një program me plot probleme, pa esencë dhe me shikueshmëri të ulët.

Në një preventiv të bërë publik, Kurti paraqet kërkesat, të cilat shkojnë në një total prej 4 milionë e 816 mijë lekësh, ose përafërsisht 50 mijë euro në kursin aktual të këmbimit.

Ajo vetë e artikulon këtë si një shumë përtej përfitimeve personale dhe veten e liston si përfituese të një shume prej “vetëm” 700 mijë lekësh (7 mijë euro), si skenariste dhe drejtuese për 12 emisione të këtij projekti. E më tej, ndan shumat në 2 milion e 100 mijë lekë (21000 euro) mes instrumentistësh, drejtor programi në shumën e 826 mijë lekëve, aktorëve, gazetarëve, montazhierëve etj..

Por, ky është thjesht preventivi…

Në një dokument ekskluziv që Albanian Post zotëron dhe po e publikon për herë të parë, është historia e pagesave të miratuara.

Shkresa e 10 qershorit 2025, tregon urdhrin për të shlyer detyrimet ndaj emisionit “Ditari i një artisti”, për katër javët e muajit prill, për të cilat AP mëson se Kurtit ende nuk i është shlyer shuma. Pagesa e fundit ka qenë e marsit.

Vetëm pagesa për Kurtin megjithatë, sipas dokumentit, rezulton të jetë në shumën tërësore prej 200 mijë lekësh (2000 euro), ndarë në 120 mijë lekë si skenariste dhe 80 mijë lekë si drejtuese emisioni. Pra, Kurti rezulton të jetë paguar kaq, për katër emisionet e marsit dhe do të paguhet edhe për pjesën e prillit.

E gjitha kjo në një kohë kur Kurti ka qenë drejtuese e këtij projekti të jashtëm, por njëkohësisht ka ushtruar funksione edhe në struktura të tjera televizive.

Drejtori i programit, Alkid Erkocaj, rezulton ndërkaq të paguhet për katër programe në shumën e 236 mijë lekëve (2400 euro).

Teksa, 15 persona të tjerë, mes instrumentistësh, këngëtarësh, aktorësh, apo mjeshtër montazhi, paguhen po ashtu në shuma të konsiderueshme.

Në total, vetëm për prillin, formati i Kurtit fiton një shumë prej 1 milion e 376 mijë lekësh (rreth 14 mijë euro).

‘Garderoba e artë’

Në një dokument më vete të parë nga Albanian Post, mund të shihet natyra e shkujdesjes edhe me kostumet e kërkuara për drejtuesit e emisioneve.

Tabela e paraqitur, e cila tregon listimet për porosi kostumesh, por jo një kontratë të mirëfilltë, zbulon se si ato janë porositur pranë stilistit Altin Mici.

Disa porosi janë pjesë e dokumentit, përfshi një faksimil që Albanian Post zotëron, ku kostumet shkojnë në vlerën e 1 mijë eurove copa dhe këmishat në vlerën e 250 eurove copa.

Për më tej, edhe rreth një anomalie si listimi i shamive të xhaketave në vlerën e 50 eurove copa.

Një tjetër tregues i abuzimeve që kanë ndodhur me RTSH-në dhe e kanë dërguar në gradën e sotme të një situate kritike institucionin kryesor mediatik në vend, pa menduar se si pakujdesia me menaxhimin e fondeve, deri në detaje për garderoba të tilla me vlera përtej normales.