Gjykata e Lartë cakton datën 9 tetor për shqyrtimin e kërkesës së Ilir Metës për zbutje të masës së sigurisë “arrest në burg”.
Në Gjykatën e Lartë, Meta kërkon shfuqizimim e dy shkallëve më të ulëta, që kanë refuzuar kërkesën e tij.
Kërkesa do shqyrtohet nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila u caktua më herët nga shorti elektronik që u hodh javën e kaluar.
Më herët, ish-presidenti i Republikës, Ilir Meta, regjistroi një tjetër betejë të dështuar në luftën e tij për t’u liruar nga burgu. Gjykata e Posaçme e Apelit rrëzoi kërkesën e tij për të zëvendësuar me një masë më të butë masën “arrest në burg”, që e vuan prej tetorit të vitit të kaluar.
Në Apel, Meta kundërshtoi vendimin e 13 gushtit të Shkallës së Parë, që e la të izoluar në paraburgim, por nuk mundi të bindë gjyqtaren Igerta Hysi për ta ndryshuar atë. Ish-presidenti i akuzuar për “korrupsion”, “pastrim të parave” dhe “fshehje të pasurisë”, zgjodhi të mos jetë i pranishëm në seancë.
Përmes avokatit ai kërkoi lirinë, me pretendimin se nuk ekzistonte asnjë kusht ligjor për vazhdimin e “arrestit në burg”.
Teksa Ilir Meta ndodhet në muajin e 11-të të paraburgimit dosja ndaj tij, ish-bashkëshortes Monika Kryemadhi dhe tre të tjerëve ndodhet në fazën e shqyrtimit paraprak.
Përzgjedhja e gjyqtares Irena Gjoka për shqyrtimin paraprak ngjalli reagim të fortë të zyrtarëve të Partisë së Lirisë, që kërkuan largimin urgjent të saj. Ndërsa avokati Cakrani tha se ende nuk e kishte vendosur nëse do të kërkohej apo jo përjashtimi i Gjokës nga procesi.