Anëtari i Kryesisë së FRPD, Orest Berberi, ka akuzuar qeverinë dhe bashkinë e Durrësit për një valë shpronësimesh të padrejta në kuadër të projektit “TID Durrës”.
Në një deklaratë për media, Berberi tha se qytetarëve po u prishen pronat pa transparencë, me çmime qesharake, ndërsa “të fortët” e pushtetit shpëtojnë. Në vend të trashëgimisë kulturore, Berberi thotë se po ngrihen kulla shumëkatëshe për klientët e Edi Ramës.
DEKLARATA E ANËTARIT TË KRYESISË SË FRPD, OREST BERBERI
Të nderuar qytetarë,
Sot nga selia e Partisë Demokratike dua të denoncoj një tjetër padrejtësi të rëndë që po i bëhet qytetarëve të Durrësit.
Në emër të projektit të ashtuquajtur TID Durrës, po kryhen shpronësime të padrejta, selektive dhe abuzive.
Qytetarëve të thjeshtë u prishet prona, ndërsa për individët e fortë të mazhorancës “ngërçet ligjore” shpëtojnë pronat e tyre nga shembja!
Së pari, qytetarëve po u ofrohen çmime shpronësimi dy herë më të ulëta se tregu. Ky nuk është kompensim, por grabitje me firmë dhe vulë shteti.
Së dyti, procesi po kryhet pa njoftime dhe pa asnjë shkresë zyrtare. Banorët nuk kanë asnjë transparencë dhe asnjë mundësi ligjore për t’u mbrojtur.
Së treti, kemi të bëjmë me një proces selektiv dhe arbitrar, ku disa prona prishen dhe disa të tjera jo, sipas interesave klienteliste dhe jo sipas ligjit.
Dhe më e rënda, është hipokrizia e këtij projekti: ndërkohë që qytetarëve u shkatërrohen pronat në emër të “trashëgimisë kulturore”, vetëm pak metra më tutje ngrihen kulla shumëkatëshe të betonit. Pra, trashëgimia shërben si justifikim për të dëmtuar qytetarët, ndërsa për klientelën e pushtetit hapet rruga e kullave.
Përgjegjës për këtë grabitje është vetëm një: Kryeministri Edi Rama, i cili me këtë projekt po shet Durrësin tek klientët e tij. Zbatuesja lokale e këtyre urdhrave është kryetarja e Bashkisë, Emiriana Sako, e cila ka zgjedhur të heshtë dhe të bëhet pjesë e kësaj afere kundër qytetarëve.
Kërkesa urgjente ndaj qeverisë dhe bashkisë është:
• Të ndalojnë menjëherë këtë proces të paligjshëm;
• Të rishikojnë vlerat e shpronësimeve sipas tregut real;
• Të japin transparencë të plotë për çdo vendim;
• Dhe të ndalojnë selektivitetin dhe klientelizmin që po shkatërrojnë qytetin.
Durrësi nuk është pronë e Edi Ramës dhe as e Emiriana Sakos. Durrësi është i qytetarëve të tij dhe ne nuk do të lejojmë që të shitet për interesa private.