Ballina Opinion Si u korruptua McGonigal i FBI nga Rama për të shkatërruar Lulzim...

Si u korruptua McGonigal i FBI nga Rama për të shkatërruar Lulzim Bashën

9
0

Nga Ermal Peçi

Kisha ditë që e kisha në arkivat e mia këtë shkrim i cili lidhet me një nga aktet më të dëmshme të kësaj demokracie hibride por edhe sabotimit që i është bërë dhe po i bëhet Partisë Demokratike.
Botimi i dosjes zyrtare të Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së për ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, Charles McGonigal, hedh dritë mbi një ngjarje që nuk është thjesht një aferë korruptive ndërkombëtare, por një ndërhyrje brutale në jetën politike të Shqipërisë, me pasoja të rënda për demokracinë.
Ajo që del nga dokumentet zyrtare është e thjeshtë dhe e qartë:
Charles McGonigal u përdor nga Edi Rama për të ndërtuar një sulm politik ndaj Lulzim Bashës, përmes një skeme të organizuar brenda zyrës së Kryeministrit dhe të eksportuar në institucionet e drejtësisë amerikane.
Dosja, në asnjë faqe të saj, nuk përmend ndonjë komplot kundër Sali Berishës, pavarësisht se në Shqipëri gënjejnë të gjithë paturpsisht dhe nuk mban askush përgjegjësi për atë çfarë thotë.
Në dosjen McGonigal fokusi i vetëm është mbi përpjekjet për të dëmtuar Bashën në kohën që ai drejtonte opozitën përmes goditjes ndaj lobimit të Partisë Demokratike në SHBA, në një proces ku Berisha nuk figuron fare.
Gjithçka nis më 9 shtator 2017, kur McGonigal vjen në Shqipëri dhe takohet me Edi Ramën dhe këshilltarin e tij, Dorian Duçka.
Ky nuk ishte një takim protokollar dhe as ndonjë bashkëpunim zyrtar institucional. Ishte pikënisja e një lidhjeje personale, që do të shërbente për të ndërtuar një skemë të qartë politike.
Më 20 nëntor 2017, McGonigal takohet sërish me Ramën. Vetëm dy ditë më pas, më 22 nëntor, publikohet një artikull në BIRN që përpiqet të lidhë opozitën shqiptare me lobimin amerikan në mënyrë komprometuese. Koha është tepër e sinkronizuar për të qenë rastësi.
Më 25 nëntor, vetëm pak ditë pas kthimit nga Shqipëria, McGonigal nis zyrtarisht informacionet drejt Departamentit të Drejtësisë për një hetim ndaj një lobisti amerikan, që sipas aktpadisë, punonte për “një parti që nuk është e Kryeministrit”.
Në fakt, bëhet fjalë për Nick Muzin, lobisti që kishte kontratë me Partinë Demokratike, që në atë kohë drejtohej nga Lulzim Basha.
Kjo ishte një mënyrë e zbutur për të mos e përmendur drejtpërdrejt emrin e tij, por shënjestra është mëse e qartë.
Ky informacion i është servirur McGonigal-it nga një figurë kyçe: Agron Neza, mik personal i tij dhe ish-punonjës i inteligjencës shqiptare. Neza shërben si urë mes FBI-së dhe zyrës së Ramës.
Zyra e Kryeministrit i jep informacion Nezës, ai ia dorëzon McGonigal-it, dhe ky e fut në sistemin hetimor amerikan.
Në muajt që pasojnë, informacione të tjera për lobistin e opozitës kalojnë sërish nga Tirana, përmes Nezës, dhe përfundojnë në duart e agjentëve të FBI-së në Nju Jork, të koordinuar nga vetë McGonigal.
Skema thellohet edhe më tej në absurd.
Sipas aktpadisë, dëshmitarët që FBI dëgjon në Evropë janë paguar nga qeveria shqiptare, përmes Dorian Duçkës, një fakt i konfirmuar edhe nga vetë autoritetet amerikane që theksojnë se FBI nuk ka mbuluar asnjë kosto.
Pra, një agjenci federale amerikane kryen hetime bazuar mbi dëshmi të financuara nga një qeveri e huaj kundër opozitës së asaj qeverie.
Ky është një precedent i rrezikshëm dhe një ndërhyrje flagrante në sistemin e drejtësisë së një shteti tjetër demokratik.
Më 6 mars 2018, pasi hetimi dështon të gjejë prova që implikojnë Lulzim Bashën, skema zhvendoset në media.
Revista amerikane Mother Jones publikon një artikull diskreditues për opozitën shqiptare, bazuar në informacion të fabrikuar dhe të përçuar nga Mark Rossini – ish-agjent i FBI-së dhe partner biznesi i McGonigal dhe Nezës.
Rossini nuk është figurë e panjohur. Ai është shfaqur publikisht në Tiranë në darka me figura politike si Ilir Meta dhe me grupe biznesmenësh kinezë në restorante të njohura të kryeqytetit.
Pra, kur nuk mjaftojnë dosjet dhe hetimet, prodhon propagandën.
Kjo nuk është më vetëm një çështje korrupsioni personal.
Kjo është një ndërhyrje e drejtpërdrejtë e Edi Ramës në sistemin e drejtësisë amerikane, me qëllim për të eliminuar një kundërshtar politik në Shqipëri, përmes një strukture të huaj të kapur dhe të shfrytëzuar.
Charles McGonigal ishte mjeti.
Agron Neza ishte ndërmjetësi.
Dorian Duçka ishte organizatori.
Por arkitekti ishte dhe mbetet Edi Rama.
Për opozitën, kjo është një dëshmi e qartë se ajo nuk u përball në një garë të ndershme politike, por u godit përmes mjeteve të paligjshme, me para publike dhe me ndikim të paligjshëm në institucione ndërkombëtare.
Për demokracinë shqiptare, kjo është një kambanë e madhe alarmi: nuk bëhet më politikë me ide, por me manipulime, shërbime sekrete dhe infiltrime në sistemet e aleatëve tanë.
Është me rëndësi të theksohet se në të gjithë dosjen e publikuar nga Departamenti i Drejtësisë, nuk ekziston asnjë referencë për Sali Berishën.
Nuk ka asnjë provë, asnjë fakt, asnjë pohim që të përfshijë ish-kryeministrin në këtë histori.
Çdo përpjekje për ta lidhur këtë çështje me “non gratën” e Berishës, është një devijim i qëllimshëm dhe mashtrues nga thelbi i vërtetë i aferës: sulmi ndaj opozitës përmes Bashës, me instrumente të korruptuara ndërkombëtare.
Tani që faktet janë publike, heshtja e Berishës dhe Partisë Demokrati për këtë çështje është bashkëfajësi. Nejse unë nuk është se pres ndonjë gjë nga ata që ngritën komisionin Mandia-Ristani dhe as që po gënjejnë qytetarët dhe drmokratët çdo ditë.
Por kam një pyetje për SPAK dhe drejtësinë shqiptare se çfarë presin për të hapur një hetim paralel për rolin e zyrës së Kryeministrit në këtë skandal?