Ballina Bota Donald Trump padit New York Times për 15 miliardë dollarë, akuzon gazetën...

Donald Trump padit New York Times për 15 miliardë dollarë, akuzon gazetën për shpifje

15
0

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se ka ngritur një padi prej 15 miliardë dollarësh kundër gazetës New York Times, duke e akuzuar për shpifje dhe fyerje.

Në një postim në rrjete sociale mbrëmjen e së hënës, Trump e akuzoi median prestigjioze amerikane për një “metodë shumëvjeçare gënjeshtrash ndaj Presidentit tuaj të preferuar (UNË!), familjes sime, biznesit, lëvizjes America First, MAGA dhe kombit tonë në tërësi”.

Ai përmendi gjithashtu mbështetjen publike që New York Times i dha Kamala Harris në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, duke e quajtur gazetën një “zëdhënëse virtuale të Partisë Demokratike Radikale të Majtë”.

Trump tha se padia është depozituar në Florida, pa dhënë detaje të tjera. Sipas Reuters, një dokument gjyqësor tregon se ai ka paditur zyrtarisht gazetën.

Në arsyetimin e tij, presidenti përmendi edhe raste të mëparshme të padive ndaj ABC News dhe gazetarit George Stephanopoulos, si dhe ndaj Paramount pas një interviste të Kamala Harris në “60 Minutes”. Të dyja rastet, sipas Trump, janë zgjidhur me shuma prej 15 dhe 16 milionë dollarësh.

New York Times nuk ka komentuar ende mbi padinë.