Të gjithë po flasin për Shqipërinë – dhe me të drejtë. Së fundmi kalova dy javë duke udhëtuar me makinë, bashkë me një mik mashkull, në vendin më pak të vlerësuar dhe më të përballueshëm të Europës, dhe fitova shumë përvoja për ta eksploruar vetë këtë destinacion në zhvillim, shkruan Jenny Hewett për Escape Australia.
Me kuzhinën e nënvlerësuar ballkanike, plazhet idilike, sitet e UNESCO-s, bunkerët e epokës së Luftës së Ftohtë dhe njerëzit zemërgjerë, kjo perlë e re e verës europiane ishte një nga kulmet e udhëtimeve të mia këtë vit. Ja çfarë mësova:
Drejtimi i makinës nuk është për zemërdobëtit
Me vetëm një aeroport në qendër të vendit, marrja me qira e një makine është mënyra më e mirë për të eksploruar veriun dhe jugun e Tiranës. Por mund të duket si sport ekstrem. Përqafo kaosin: shoferë të shpejtë kalojnë me Mercedes të viteve ’90; përdorimi i borisë është i zjarrtë; dhe makina të tjera të dalin përpara pa paralajmërim.
Kini kujdes nga mashtrimet e zakonshme me makinat me qira, si p.sh. disa operatorë që kërcënojnë me tarifa të majme nëse makina përdoret në rrugë të paasfaltuara – pa treguar cilat rrugë janë të tilla, e as Google Maps nuk ndihmon. Ne e morëm makinën përmes British Airways dhe nuk patëm probleme. Në verë, bllokimet e trafikut janë të zakonshme në pikat e nxehta turistike si Saranda, Ksamil dhe Dhërmi.
Ushqimi është shumë i nënvlerësuar
Tavë dheu e ëmbël, sallatë fshati (një version vendas i sallatës greke me djathë lokal) dhe “bukë fëmijërie” (pogaçe me vezë, djathë dhie dhe suxhuk kosovar) – ku kanë qenë gjithë jetën time?
Kuzhina shqiptare më mori zemrën, dhe ende më mungon. Bregdeti ofron bollëk peshku të freskët dhe të përballueshëm: levrek i pjekur i tëri, kallamar i pjekur, sepia dhe midhje. Në male, gjeni tava dhe mish viçi e qingji të pjekur me cilësi të lartë.
Ka bunkerë kudo
Për një hyrje të përgjithshme, vizitoni muzetë Bunk’Art 2 ose Bunk’Art 1 në Tiranë. Ato ju fusin thellë në sistemet e bunkerëve të ndërtuar në fillim të viteve ’80 gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës. Ekspozitat janë të rënda, me objekte dhe kronologji historike.
Tuneli i Luftës së Ftohtë në Gjirokastër vizitohet vetëm me guida (çdo orë), ndërsa “Bunkeri i Madh” pranë Dhërmiut është një ndërtesë e braktisur, me grafite dhe pamje mbresëlënëse.
Jo të gjithë plazhet janë njësoj
Disa janë të zakonshëm, disa të mbipopulluar, të tjerë thjesht parajsë. Nuk do të kthehesha në Vlorë për plazhet, por ushqimi atje ishte i shkëlqyer (restoranti jo-turistik “Pirat Fish” është “must”, edhe vetëm po kaluat). Plazhet më të bukura të Rivierës Shqiptare ndodhen mes Sarandës dhe Dhërmiut, rreth Himarës, Dhërmiut dhe Qeparoit.
Himara, në veçanti, ishte më pak e mbushur me turistë krahasuar me jugun e skajshëm kur e vizitova në fund të gushtit – me brigje guri dhe ujë ngjyrë akuamarini. Nëse planifikoni një udhëtim me varkë, ky është vendi.
Shmangni këto pika të famshme në verë
Duhet të flasim për Ksamilin. U zhgënjeva që humba tre ditë aty. Pika më jugore e Shqipërisë është krahasuar me Maldive, dhe plazhet e bardha të vogla shfaqen shpesh në videot e blogerëve të udhëtimeve.
Por kur shkova në verë, çdo centimetër rërë ishte i mbushur me turma; qyteti ishte tej mase i mbipopulluar dhe deti i ndotur me jetski dhe anije. Për mua është një “jo” e madhe. Edhe Syri i Kaltër ishte i mbushur si një “fole grerëzash”, ndaj nuk u ndalëm.
Më shumë qytete malore, ju lutem
Mos i anashkaloni qytetet malore për shkak të plazheve. Gjirokastra, “Qyteti i Gurit”, ka një qendër historike të listuar në UNESCO dhe një kala osmane. Berat, me arkitekturën e tij unike osmane, është gjithashtu pjesë e trashëgimisë botërore. Ka edhe shtigje për ecje, lumenj dhe liqene të bukur. Gjatë vizitës sonë, pati zjarre të shumta në vend. Në disa momente ishte e frikshme teksa udhëtonim, ndaj vendosëm të qëndronim më shumë në bregdet.
Vendasit janë të lumtur që po i vizitojmë
Shqipëria ishte një “mbretëri e izoluar” deri më 1991 dhe mbeti e shkëputur nga bota. Shumë ka ndryshuar që prej asaj kohe. Vendasit janë vërtet të gëzuar për rritjen e numrit të turistëve, dhe ndihen veçanërisht të nderuar kur zbulojnë se ke ardhur deri nga Australia. Mos e lini këtë destinacion të kalojë pa e parë./Escape.com.au







