Ballina Opinion Kaosi në RTSH në kufijtë e skandalit

Kaosi në RTSH në kufijtë e skandalit

22
0

Nga Ola Xama

Lajmet që po shkruhen përditë për Radio Televizionin Shqiptar janë në kufijtë e skandalit. Dhjetra njerëz janë detyruar të kërkojnë publikisht pagesën për punën që kanë bërë dhe vetëm pas kësaj administrimi ka pranuar të japë përgjigje.

Nuk arrij dot të konceptoj se në vitin 2025, një institucion publik trajtohet nga menaxhimi sikur të ishte pronë private!

Kush e ka përgjegjësinë për akumulimin e borxheve? Si janë kontraktuar programet pa patur buxhetin në zërin përkatës dhe kush i ka miratuar?

Nëse janë marrë angazhime jashtë fondeve buxhetore, ish-drejtuesit dhe Këshilli Drejtues janë përgjegjës për krijimin e detyrimeve të prapambetura dhe kanë kryer shpërdorim detyre.

Nëse menaxhimi i ri i ka gjetur këto shkelje dhe nuk i denoncon, atëherë po mbulon një aferë në kurriz të njerzve që kanë punuar më parë.

Dhe tjetra, në financë ka një rregull: nuk merr dot angazhime të reja (programe dhe emisione), pa shlyer më parë detyrimet e prapambetura. Është turp të shkojë RTSH në këtë pikë dhe të mos japë pagesat!

Turp më i madh është të bëhen thirrje që përveç taksës që paguajmë çdo muaj (për një institucion që nuk zbaton asnjë standard të llogaridhënies), kërkohet ndihmë nga Ministria e Financave dhe të futet dora dhe njëherë në xhepin e qytetarëve. Për çudi ky propozim është bërë dhe nga disa shoqata gazetarësh…

Më e rënda që ndodh pastaj është publikimi i honorareve të ish-bashkëpunëtorëve në media e portale për t’i bërë ‘mish për top’ edhe në kurriz të imazhit të RTSH. Ironikisht publikimet bëhen nga gazetarë që paguhen si bashkëpunëtorë në RTSH nga drejtimi i ri. Ndaj ndalenj këtë komedi dhe kryeni detyrën që keni marrë përsipër!

P.S. Respekt për të gjithë kolegët dhe asgjë personale me këdo që mund ta gjejë veten subjekt të kësaj që kam shkruar…