Ballina Aktualitet “Masakra e Dobraçit ishte e paralajmëruar, shteti sekser i krimit…”/ Gazetari shpërthen...

“Masakra e Dobraçit ishte e paralajmëruar, shteti sekser i krimit…”/ Gazetari shpërthen ashpër ndaj institucioneve

0
16

Ngjarjet kriminale të fundit në Shkodër kanë tronditur opinionin publik dhe kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi funksionimin e institucioneve në vend. Në një emision gazetari Adriatik Doçi analizoi në detaje situatën shqetësuese në këtë qytet, duke e cilësuar masakrën e Dobraçit si një ngjarje të paralajmëruar dhe produkt të drejtpërdrejtë të mosveprimit institucional.

Sipas Doçit, zinxhiri i përgjegjësisë nis nga policia dhe përfundon në parlament, ndërsa mungesa e bashkëpunimit mes strukturave të drejtësisë ka lejuar që grupet kriminale të veprojnë të papenguara.

“Duke analizuar ngjarjet, konstatohet që është një ngjarje e paralajmëruar, produkt i një sërë hallkash që nga policia, gjykata, deri te parlamenti. Atentatori del se ishte arrestuar në vitin 2023 për armëmbajtje pa leje, më pas për trafik droge dhe akuza të tjera, dhe ka dalë me shërbim prove. Këtu dyshohet se personazhet që përfshihen janë investuar. Investojnë duke manipuluar provat, policinë e të tjera institucione. Kjo masakër është produkt i mosveprimit të shtetit. Masakra e Dobraçit, një nga viktimat, Lici, ishte në listën me disa emra për t’u eliminuar nga një grup. Mustafa Lici dhe Ibrahim Lici ishin në listë për t’u eliminuar, pra ishin kundërshtarë. Shteti nuk ka vepruar. Prokuroria e Posaçme vepron në bazë të kompetencave dhe ka goditur njërin grup, por lufta nuk është kompetencë e SPAK, nëse nuk ka bashkëpunim mes policisë vendore, prokurorisë dhe gjykatës.

Nuk luftohet dot krimi. Drejtuesit në polici ishin reduktuar si sekserë në shërbim të grupeve kriminale, deri në banalitet, për të siguruar takime speciale në burg ose emërime në administratë. Në Elbasan e Shkodër, si vatra të krimit, nuk është efikase lufta ndaj krimit, sepse shumë ngjarje që kanë ndodhur më herët dhe që kanë paraprirë ato të mëvonshmet, janë sabotuar në hetim. Po të ishte hetuar ndonjë ngjarje madje po marr një shembull: një grabitje e Talo Çelës edhe një hap po të ndiqte policia, do të çonte te autori. Do të ishin ndaluar shumë vrasje. Pra, janë sabotuar shumë ngjarje, të cilat nga ky mosveprim kanë prodhuar pasoja të mëvonshme. Së dyti, hetimi pasuror është i pafuqishëm financiarisht. Sikur të bëhej hetim i thelluar në hotelet e fuqishme në Elbasan apo Shkodër, a do të justifikoheshin pronarët? E fundit, dhe me prioritet: shumë personazhe janë shpallur në kërkim pasi u larguan në Dubai, por më pas u rikthyen, sepse Dubai nuk është më vend i sigurt. Kush ka kryer krime, Dubai nuk i mban më. Nuk është më strehë e sigurt. Streha është Shqipëria. Të gjithë janë në Shqipëri.”, tha gazetari.