Akademia e Shkencave bëri me dije se është darë nga jeta prof. dr. Hëna Pasho.
Gjuhëtarja e shquar, prof. dr. Hëna Pasho lindi në vitin 1941 në Përmet. Kreu shkollën e mesme pedagogjike “17 Nëntori”, Tiranë, dhe më pas studimet e larta në Universitetin e Tiranës, dega Gjuhë shqipe e letërsi, të cilat i përfundoi me rezultate shumë të larta në vitin 1966. Për 3 vjet punoi si mësuese dhe si drejtuese shkolle në Përmet. Në vitin 1969 fillon punë në Institutin e Gjuhësisë dhe të Historisë, pranë Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, Universiteti i Tiranës, kurse në vitin 1972 fillon punë në sektorin e terminologjisë pranë Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, ku punoi deri në vitin 2009, kur doli në pension.
Prof. Hëna Pasho ka qenë një nga studiueset më të spikatura në Albanologji dhe në Institutin e Gjuhësisë deri në kohën që pensionohet, ishte e vetmja femër që mbante titullin “Profesor”. Ajo pati fatin e madh të punonte me akad. Eqrem Çabej, me akad. Mahir Domi, me akad. Androkli Kostallari, me akad. Jani Thomai, dhe me shumë dijetarë të tjerë, si prof. Lirak Dodbiba, prof. Ferdinand Leka, prof. Jorgji Gjinari, prof. Miço Samara e të tjerë, nga të cilët mësoi shumë.
Prof. Hëna Pasho në vitin 1988 ndoqi “Shkollën verore” të Vjenës (INFOTERM), pranë Qendrës Ndërkombëtare e Terminologjisë, duke pasuruar dhe konsoliduar formimin e vet shkencor.
Fusha saj e ngushtë e studimeve ishte terminografia dhe terminologjia e shkencave shoqërore. Ajo punoi në dhjetëra grupe pune me specialistë e gjuhëtarë për hartimin e 12 fjalorëve terminologjikë normues (shqip-gjuhë të huaja) për disiplinat e ekonomisë, të drejtësisë, të gjeografisë e të anatomisë, që janë vepra kolektive dhe ku ndihmesa e saj si drejtuese dhe si hartuese janë të vlerësuara shkencërisht.
Edhe pas daljes në pension, ajo nuk i ndërpreu asnjë çast marrëdhëniet me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Në vitin 2017 Instituti botoi përmbledhjen e saj me artikuj “Probleme gjuhësore të terminologjisë në gjuhën shqipe”.
Këta 4 vjetët e fundit ajo dha ndihmesë të çmuar në pasurimin e Korpusit elektronik për Fjalorin e Madh të Gjuhës shqipe (me 125.000 fjalë e që është në proces përfundimi) me terma nga fusha e financës, e ekonomisë, e bankës etj.
Ajo ka marrë pjesë në projektin ndërkombëtar për hartimin e një fjalori shumëgjuhësh me terma të bibliotekës, me cilësinë e konsulentes gjuhësore për termat shqip, projekt i drejtuar nga Resarch Development Department National and University Library, Ljubljana, Slovenia.
Ajo është nderuar me Urdhrin “Naim Frashëri” të klasit III dhe me Medaljen “Për shërbime të shquara shtetërore dhe shoqërore”. /atsh/







