Në qershor të vitit 1990, në një moment kur Shqipëria ziente nën peshën e një regjimi që po i vinte fundi, një letër u nis nga Shtetet e Bashkuara drejt Tiranës. Jo nga politikanë të njohur, jo nga ambasadorë të fuqishëm, por nga një grup nxënësish të shkollës së mesme Malverne High School në New York. Ata ishin pjesë e rrjetit të Amnesty International USA dhe e quanin veten “Freedom Writers”.
Letra, e firmosur më 21 qershor 1990 dhe drejtuar presidentit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alia, mbante dhjetëra nënshkrime. Mes tyre gjendej edhe ai i Sami Repishtit, intelektualit dhe disidentit të njohur shqiptar në mërgim. Në dokumentin e gjatë, nxënësit amerikanë shprehnin “indinjatën e thellë” për fatin e një mësuesi shqiptar, Hodo Sokoli, i cili kishte kaluar 25 vjet në burgjet e diktaturës vetëm pse kishte shprehur mosdakordësi me vijën politike të Partisë së Punës.
Raporti i brendshëm i kohës në Shqipëri e përshkruan Sokolin si të sëmurë rëndë, të paralizuar, dhe të dënuar të priste “një vdekje të ngadaltë” në kampin e burgosur të Sarandës. Për Amnesty International dhe nxënësit e Malverne High School, kjo ishte një shkelje flagrante e të drejtave më elementare të njeriut, një mohim i Kartës së OKB-së.
Historia e kësaj letre është më shumë se një episod i veçuar. Është një kujtesë se zëri i lirisë nuk vjen gjithmonë nga fuqitë e mëdha apo nga tribunat politike. Ndonjëherë, ai nis nga bankat e një shkolle të mesme, nga dora e një nxënësi që nënshkruan një peticion, dhe përshkon oqeanin për të trokitur në derën e një regjimi të hekurt. Dhe emri i Hodo Sokolit, bashkë me nënshkrimin e Sami Repishtit, mbetet dëshmi e një solidariteti që kaloi kufijtë, duke i dhënë një dimension të ri kauzës së të burgosurve politikë shqiptarë./vna