Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), me pjesëmarrjen e anëtarëve të tij dhe atyre zëvendësues, si dhe të përfaqësuesve të ftuar, zhvilloi këtë të martë, 16 shtator, intervistat dhe testimin e njohurive të gjuhës së huaj me kandidatët që kanë kaluar me sukses procesin e vlerësimit të kushteve ligjore dhe që vijojnë garën për pozicionet vakante në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas një njoftimi për mediat nga KED, kandidatët prezantuan platformat e tyre të kandidimit, duke paraqitur qasjen e tyre mbi rolin e një gjyqtari kushtetues dhe prioritetet në ushtrimin e këtij funksioni të rëndësishëm. Gjithashtu, ata iu përgjigjën pyetjeve të anëtarëve të KED-së, të fokusuara në përvojën e tyre profesionale dhe vizionin për rolin e ardhshëm si anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.
Këshilli do të vijojë të mërkurën me procesin e pikëzimit, i cili do të kryhet në përputhje me kriteret e përcaktuara në ligj dhe aktet nënligjore në fuqi.