Ballina Sport Dy herë në Champions dhe me të njëjtin trajner prej 17 vitesh,...

Dy herë në Champions dhe me të njëjtin trajner prej 17 vitesh, Qarabag po bën historinë

62
0

Një natë historike për futbollin azerbajxhanas. Qarabag arriti fitoren e parë të tij në historinë e UEFA Champions League, duke mposhtur Benficën 3:2 në “Estadio da Luz” të Lisbonës, një nga surprizat më të mëdha të javës europiane.

Portugezët nisën vrullshëm, duke kaluar në avantazh 2-0 që në minutën e 16-të me golat e Barrenechea dhe Pavlidis, por Qarabag reagoi me karakter. Andrade ngushtoi shifrat në minutën e 30-të, ndërsa në pjesën e dytë ishte Duran që barazoi në të 48-ën.

Benfica sulmoi, por pa saktësi, duke lënë hapësirë për goditjen vendimtare: në minutën e 86-të, Kashchuk shënoi golin e fitores, duke nisur festën e madhe për miqtë.

Skuadra e udhëhequr prej vitit 2008 nga trajneri Gurban Gurbanov, ish-sulmues i kombëtares së Azerbajxhanit, mbështetet kryesisht te lojtarët vendas, të përforcuar me disa të huaj cilësorë si Andrade, Duran e Kashchuk,  heronjtë e mbrëmjes së Lisbonës.

Pasi eliminoi Shelbourne, Shkëndijën dhe Ferencvaros në turet kualifikuese, Qarabag ka treguar se tashmë ka fituar përmasat e një skuadre europiane. Pas debutimit historik në fazën e grupeve më 2017-18, kampionët e Azerbajxhanit shtojnë një tjetër faqe të lavdishme: fitoren e parë absolute në Champions League