Nga Hysni Gurra
Edi Rama po përpiqet t’ua shesë qytetarëve hapjen e grupkapitujve me Bashkimin Evropian si një hyrje të afërt në BE. Ky është një nga mashtrimet më të mëdha të propagandës së tij: të paraqesësh një hap teknik e formal si punë të mbaruar anëtarësimin.
Por e vërteta është krejt tjetër. Hapja e kapitujve nuk garanton anëtarësim. Këtë e tregojnë shembujt konkretë: Turqia i ka hapur negociatat që në vitin 2005 dhe sot ndodhet më larg se kurrë nga BE-ja.
Mali i Zi ka hapur të gjithë kapitujt që prej 2012-s, por ende nuk ka asnjë datë anëtarësimi. Serbia gjithashtu ka nisur negociatat në 2014 dhe është akoma në rrugë pa krye. Pra, kapitujt hapen, por nuk mbyllen.
Edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë ende në fazën e “skriningut”. Kjo do të thotë se kapitujt nuk janë hapur as konkretisht, jemi te ajo ngjyra e verdhë. Që do të thotë, në letra, Shqipëria bën ca ligje me përkthim siç i ka BE, por në terren zbaton ligje të tjera, siç i do Rama dhe ortakët e tij në pushtet, bandat, oligarkët etj. Pas këtij “skriningut” vijnë në terren ata dhe shohin si zbatohet, dhe se ç’mund të shohin në terren, kushdo që po lexon këto radhë e merr me mend vetë.
Megjithatë, qeveria e Edi Ramës e përdor këtë si flamur propagandistik, për të krijuar iluzionin se vendi është një hap larg anëtarësimit. Në realitet, jemi shumë vite larg – nëse do të arrijmë ndonjëherë.
Pse? Sepse mbyllja e kapitujve nuk varet nga fjalimet e Ramës në Bruksel, por nga reformat reale në vend. Dhe pikërisht këtu Shqipëria dështon, sidomos me një pushtet të tij ku: korrupsioni ka kapur çdo qelizë të shtetit, lidhjet e qeverisë me krimin janë kthyer në normë, liria e medias është cenuar, drejtësia mbetet selektive dhe pushteti është përqendruar në duart e një njeriu të vetëm.
Në këto kushte, propaganda që i shet shqiptarëve “kapitujt” si “anëtarësim të afërt” është një mashtrim i pastër. Sigurisht unë e di që në këtë vend ka shumë njerëz që nuk mendojnë e arsyetojnë, po besojnë çfarë është më e gënjeshtërt. Por përpjekja për të mbuluar dështimet e përditshme me tymnajë evropiane, duhet thënë. Dhe qytetarët, kush do, kush nuk e ka dorëzuar mendimin dhe arsyetimin kot më kot duhet ta kuptojë: BE nuk i hap dyert me deklarata, por për shtete që respektojnë sundimin e ligjit, demokracinë dhe liritë themelore.
Deri kur Shqipëria të bëhet një vend normal, kapitujt e hapur do të mbeten të tillë për shumë vite, njësoj si tek Turqia, Mali i Zi apo Serbia. Dhe Rama do të vazhdojë t’u hapë kaptinën shqiptarëve me propagandë, t’u tregojë fasada, dhe realiteti shqiptar do të mbetet i njëjtë: larg Evropës, por i zhytur në korrupsion, klientelizëm dhe kapje të shtetit.