Ballina Rajoni I riu shqiptar humbi jetën në tragjedinë e Tempit, babai nis grevën...

I riu shqiptar humbi jetën në tragjedinë e Tempit, babai nis grevën në Athinë

13
0

Prej tre ditësh, në sheshin ‘Syntagma’ të Athinës, një baba shqiptar i pikëlluar, ka nisur një betejë që po prek zemrat e mijëra qytetarëve.

Pano Ruçi, babai i 22-vjeçarit Denis Ruçi, një prej 57 viktimave të tragjedisë hekurudhore në Tempi më 28 shkurt të vitit 2023, ka hyrë në grevë urie dhe etjeje.

Kërkesat e tij janë: drejtësi për fëmijën e tij dhe leja për zhvarrosjen e trupit, kërkesë që deri më tani është refuzuar nga gjykata e Larisës.

Çdo ditë, njerëz të thjeshtë shkojnë pranë tij për t’i dhënë forcë  këtij babai që i pikon zemra, por që është i palëkundur në betejën e tij, sfidon institucionet dhe mbron kujtimin e djalit të humbur.

Një betejë që është kthyer në simbol të dhimbjes, por edhe të rezistencës njerëzore.

Ruçi ka deklaruar se do të vazhdojë betejën e tij deri në fund. Ai dhe prindër të tjerë, përfshirë Maria Karystianou, kryetaren e Shoqatës së Viktimave të Aksidenteve Hekurudhore të Tempit, që ka humbur në aksident vajzën e saj, Marthën, kanë dërguar edhe një kallëzim zyrtar ndaj kryeministrit Kyriakos Mitsotakis dhe drejtuesve më të lartë të drejtësisë greke.

U bënë gati dy vjet e gjysëm që prindërit e viktimave të tragjedisë në Tempi kërkojnë drejtësi, zhvarrosjen e fëmijëve të tyre për hetim të ri mjeko-ligjor dhe zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit. Ata akuzojnë qeverinë Mitsotakis, OSE-n, ERGOSE-n, Hellenic Train dhe autoritetet për mungesë të sistemeve bazë të sigurisë hekurudhore dhe për neglizhencë të rëndë.

Kryeministri grek ka deklaruar se nuk do të ketë asnjë lloj mbulimi apo fshehjeje në asnjë aspekt të çështjes, ndërsa partitë opozitare akuzojnë qeverinë dhe drejtësinë se janë mbuluar fakte.

Dosja gjyqësore është voluminoze, me rreth 60 mijë faqe dhe përfshin 36 të pandehur persona jo-politikë, shumica me akuza për krime të rënda si shkelje të sigurisë së transportit dhe vrasje nga pakujdesia.

Procesi gjyqësor pritet të nisë në shkurt të vitit 2026, ndërsa familjarët shprehen se ende mungojnë hetime ndaj institucioneve kyçe të përgjegjshme.