Këto ditë, kryelajmi në vend është hapja e garës për kreun e ri të SPAK-ut, strukturës së posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka hapur afatin e aplikimit, i cili nis sot dhe zgjat tetë ditë, duke e bërë të mundur për të gjithë kandidatët e interesuar të paraqesin dokumentet për drejtimin e SPAK-ut.
Në lidhje me kandidatët dhe kriteret e përzgjedhjes, në një emision televiziv, avokati dhe pedagogu i Jurisprudencës, Artan Manushaqe, tha:
“SPAK nuk funksionon më në mënyrë piramidale; drejtuesi ka një rol të veçantë në administrimin dhe implementimin e politikave të prokurorisë. Për këtë arsye, profesionalizmi dhe integriteti janë kriteret kryesore për çdo kandidat.”
Ai shtoi se disa nga kandidatët më të fortë janë Doloreza Musabelliu dhe Adnan Xholi, të cilët dallohen për eksperiencë, korrektësi dhe aftësi profesionale:
“Doloreza Musabelliu ka përvojë të jashtëzakonshme, integritet dhe doktrinë të plotë. Ajo ka punuar në Krimet e Rënda dhe SPAK që nga viti 2010 dhe flet shumë gjuhë të huaja. Figura e saj është shumë e fortë për kreun e SPAK-ut. Adnan Xholi është super korrekt, korrektësia e tij është evidente në çdo situatë dhe ka eksperiencë të mjaftueshme për të drejtuar strukturën.”
Manushaqe theksoi gjithashtu rëndësinë e pavarësisë së institucionit dhe ndikimin pozitiv të mbështetjes ndërkombëtare:
“Nuk mund të them që një prokuror ose një tjetër është i amerikanëve, sepse çdo njeri tregon integritetin e vet. Së pari ai duhet të jetë njeri i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, zoti Xholi, apo prokurorët e tjerë. Amerika e ka mbështetur dhe do ta mbështesë Reformën në Drejtësi.”







