Kapitali
Emri i Mirgen Dervishit u bë i njohur për publikun për herë të parë në vitin 2015, kur u arrestua nga policia si i përfshirë në një skemë të mashtrimit me tvsh për 5 milionë euro. Në atë kohë zoti Dervishi mbante posti e përgjegjësit në sektorin e kontrollit në drejtorinë rajonale tatimore të Tiranës.
Pas arrestimit, Dervishi u shkarkua nga tatimet. Por më vonë ai e vazhdoi karrierën në sektorin privat, si kontabilist. Por emri i Dervishit do të rikthehej sërish në publik, verën e këtij viti, kur shpërtheu dosja Bankers.
Sipas prokurorisë së Fierit, zoti Dervishi rezulton se ka marrë 4 milionë euro nga Bankers Petroleum të justifikuara si pagesa për shërbime kontabiliteti, por në të vërtetë shërbimet nuk janë kryer.
Prokuroria nuk e shpjegon se përse Bankers i pagoi 4 milionë euro një llogaritari të rëndomtë pa marrë në këmbim asnjë shërbim, për shkak se hetimi i saj në dosjen Bankers ka qenë në rastin më të mirë i cunguar. Por tre burime të pavarura i thanë Kapitalit se pagesat për Dervishin dhe disa studio të tjera kontabiliteti kanë qenë rryshfeti që u dha për rimbursimin e 60 milionë eurove tatim mbi vlerën e shtuar me përfundues fundor ish drejtues të lartë të Tatimeve.
Prokuroria e Fierit nuk e mori nën akuzë zotin Dervishi, edhe pse në dosje kontaton se ai marrë 4 milionë euro pagesa për shërbime fiktive. Dhe tashmë zoti Dervishi kërkon të rikthehet sërish në Tatime.
Dy ditë më parë në Gjykatën e Lartë u zhvilluar gjyqi me objekt padinë e zotit Dervishi për rikthimin e tij si punonjës në administratën Tatimore. Gjykata e Lartë prishi vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Apelit dhe e dërgoi çështjen sërish në Apel për rigjykim, por me një tjetër trup gjykues.
Kjo është drejtësia e re, ku të gjitha kanë mundësi, përfshirë kontabilistët e rryshfetit dhe pastrimit të parave. Ndërkohë Bordi i Mbikqyrjes Publike është shndërruar në një nga institucionet më amorfe të vendit, teksa kontabilistët e përfshirë në evazion, pastrim parash dhe kanalizim rryshfetet vazhdojnë të mbajnë të pashqetësuar liçencat e tyre.