Qeveria shqiptare shpalli programin për zhvillimin e infrastrukturës ne katër vitet në vijim, duke e vendosur transportin rrugor në qendër të tij.
Programi parashikon ndërtimin e 700 kilometrave të reja rrugë deri në vitin 2029, duke përfunduar pothuajse rrjetin kombëtar me standarde aktuale. Mes projekteve kryesore renditen segmentet e Korridorit Blu – Milot-Balldren, Milot–Thumanë, Kashar–Peze–Lekaj dhe Lekaj–Konjat–Fier – që do të krijojnë një bosht të ri zhvillimi ekonomik nga veriu në jug. Po ashtu, do të ndërtohet lidhja e Bypass-it të Elbasanit me Korridorin VIII, do të përfundojë Rruga e Bregut nga Dhërmiu në Sarandë, si dhe rrugë të tjera strategjike si Unaza e Çajupit, Rruga e Vjosës, aksit Berat–Skrapar–Gramsh, etj
Synohet ndërtimi i Rrugëve të Liqeneve (Rrëshen–Burrel), duke shtuar aksesin dhe ndërlidhjen e Dibrës me rrjetin kombëtar. Përmbyllet Rruga e Maleve Vau i Dejës–Pukë–Fushë Arrëz.
Në këtë mandat të ri qeveria synon të vejë në funksion linjën Tiranë–Durrës–Rinas me flotë të re elektrike dhe të ndërtojë segmente të reja që lidhin kryeqytetin me Porto Romanon dhe me korridoret rajonale. Në transportin hekurudhor synohet të përmbyllen e projektet Vorë–Hani i Hotit, Durrës– Rrogozhinë dhe Rrogozhinë–Pogradec, me investime mbi 800 milionë euro. Në plan përfshihet edhe ngritja e shoqërisë shtetërore “MobAl”, e cila do të menaxhojë transportin publik kombëtar dhe një flotë prej rreth 100 autobusësh elektrikë me sistem biletash elektronike e monitorim në kohë reale.
Për portet programi përfshin ndërtimin e Portit të ri tregtar të Porto Romanos dhe zhvillimin e marinave turistike në Sarandë, Vlorë dhe Kepin e Rodonit.
Në transportin ajror, parashikohet përfundimi i Aeroportit të Vlorës, hapja e Aeroportit të Jugut në Gjirokastër dhe zgjerimi i kapaciteteve të Aeroportit të Tiranës. Një Akademi e re e Aviacionit do të formojë pilotë e specialistë vendas, duke e bërë Shqipërinë një aktor më konkurrues në tregun europian të aviacionit.
Plani qeveritar shoqërohet me investime në flota elektrike, stacione karikimi dhe mobilim urban të autostradave, me synimin për të ulur ndotjen dhe për të rritur efikasitetin energjetik.