Nga Denis Dyrnjaja
Në Shqipëri, demokracia funksionon më shumë si një dritare që hapet për të parë jashtë, sesa një pasqyrë që na tregon vetveten. Çdo krizë, çdo vendim i rëndësishëm, çdo emërim me peshë, kërkon me doemos një konfirmim ndërkombëtar, jo për legjitimitet, por për ekzistencë.
Në këtë realitet politik, qeveria psh kujdeset që çdo ndryshim në arkitekturën e shtetit dhe ligjeve të marrë më parë aprovimin ndërkombëtar, opozita e pafuqishme politikisht kërkon mbështetjen dhe ndërhyrjen e ambasadave për të ndalur vendimet e mazhorancës, ndërsa drejtësia nuk ndjehet e aftë të zgjedhë drejtuesit e saj pa miratimin e tyre. Zgjedhja e drejtuesit të ri të SPAK-ut pas largimit të Altin Dumanit, sërish po monitorohet me kujdes, nga Ambasada Amerikane, çka tregon rrezikun që i kanoset institucionit nga përpjekjet për ta kapur ose kontrolluar politikisht.
Edhe kërkesat e fundit të opozitës për të bllokuar ndryshimet në rregulloren e Kuvendit apo riformatimin e komisioneve parlamentare i adresohet si nevojë për zgjidhje diplomatëve të huaj. Një kauzë nuk ka më peshë nëse nuk përkthehet në anglisht dhe nuk shkon me email në zyrat e BE-së apo SHBA-së në Tiranë.
Në këtë panoramë, Edi Rama vetë i referohet pëlqimit të Komisionit Europian për çdo iniciativë.
Rasti më i fundit janë paralajmërimet për ndryshime në paketën ligjore për drejtësinë, për te cilat tha se nuk do ye ndodhin pa marrë më parë miratimin e Komisionit Europian. Kjo jo për të siguruar kushtetutshmërinë, por për të ndërtuar një aureolë konsensusi që vjen nga jashtë, si garanci për brenda.
Kështu, Shqipëria vazhdon të sillet si një vend i pjekur për të hyrë në BE, por me një klasë politike që nuk guxon të ecë pa komandën nga jashtë. Dhe kur kjo telekomandë mungon, vendi hyn në ngrirje institucionale, si një televizor pa sinjal.
Nuk jemi më nën diktaturë, por sillemi ende si në vitet e tranzicionit të hershëm, ku ndihma e ndërkombëtarëve ishte rruga e vetme për të shmangur ngërçet apo kaosin. Sot, pas mbi 35 vitesh, jemi ende aty me një drejtësi që s’mund të veprojë dot pa mbështetje publike nga ambasadat, dhe me një klasë politike që sillet si notere e vullnetit ndërkombëtar, jo përfaqësuese e sovranitetit të popullit.
Telekomanda është gjithmonë në dorën e tyre. Dhe Shqipëria, sado moderne në dukje, vazhdon të sillet si një aparat pa butona lokalë.







