Zëdhënësja e Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, në një deklaratë për mediat theksoi se Bashkia e Tropojës ka shpallur fituese një kompani në pronësi të kushëririt të kryetarit Rexh Byberi, duke përsëritur skenarin e klientelizmit familjar.
“Por skandali nuk ndalet këtu,” tha Vangjeli, duke nënvizuar se praktikat e tilla janë bërë të zakonshme dhe inkurajohen nga pandëshkueshmëria e titullarëve.
Tenderi në fjalë, me objekt ndërtimin e rrugës Auto Kika-Gj. Dragobisë-Qafë Paje dhe fond limit 82.9 milionë lekë, u karakterizua nga mungesa e konkurrencës së ndershme.
Nga 11 ofertues, 6 u skualifikuan pa arsye të qarta, duke favorizuar kompaninë “Vllaznimi” shpk, e lidhur familjarisht me kryetarin e Bashkisë. Oferta më e lirë, që do t’i kursente Bashkisë 17 milionë lekë, u hodh poshtë dhe pavarësisht vendimit detyrues të Komisionit të Prokurimit Publik për rivlerësim, Bashkia e skualifikoi sërish, duke tejkaluar kompetencat ligjore dhe injoruar autoritetin e KPP-së.
Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:
Partia Demokratike denoncon një tjetër skandal në Bashkinë e Tropojës, ku shkeljet ligjore dhe abuzimet me tendera vijojnë të përsëriten, të inkurajuara nga pandërshkueshmëria që u jep titullarëve guxim të veprojnë hapur kundër ligjit dhe në kundërshtim me vendimet e Komisionit të Prokurimit Publik (KPP), të cilat kanë efekt detyrues për Autoritetin Kontraktor.
Bëhet fjalë për tenderin me objekt: ‘Ndërtim i rrugës Auto Kika-Gj. Dragobisë-Qafë Paje’, me fond limit 82.9 milionë lekë.
Në këtë garë morën pjesë 11 ofertues, por në mungesë konkurrence, fitues u shpall oferta e vetme e mbetur pas skualifikimeve.
Autoriteti Kontraktor, skualifikoi 6 oferta me çmim më të ulët se fituesi, duke favorizuar kompaninë ‘Vllaznimi’ shpk, e denoncuar më herët për lidhje familjare me kryetarin e Bashkisë Tropojë, Rexh Byberi.
Edhe këtë herë, Bashkia ka shpallur fituese një kompani në pronësi të kushëririt të kryetarit Byberi, duke përsëritur skenarin e klientelizmit familjar.
Por skandali nuk ndalet këtu.
Denondimi i PD per Rexhe ByberinDownload
Operatori i skualifikuar që paraqiti ofertën më të ulët, e cila do t’i kursente Bashkisë 17 milionë lekë, dorëzoi ankesë pranë KPP-së.
Me vendimin e datës 3 shtator (2025), KPP konstatoi se arsyet e skualifikimit nuk qëndrojnë dhe urdhëroi rivlerësimin e procedurës.
Pavarësisht këtij vendimi detyrues, Bashkia Tropojë ka lënë përsëri të skualifikuar për here të dytë ofertuesin në fjalë, duke shtuar arsye skualifikimi në tejkalim të kompetencave që parashikon ligji e injoruar hapur autoritetin e KPP-së.
Ky mosrespektim i vendimit të KPP-së, sipas nenit 119, pika d e Ligjit për Prokurimet Publike, e bën kontratën të pavlefshme.
Partia Demokratike kërkon menjëherë disiplinimin e Autoritetit Kontraktor në zbatimin e ligjit dhe apelon organet e drejtësisë që të hetojnë dhe të penalizojnë shkelësit e ligjit.