Ndërsa Edi Rama mbërriti në Bruksel për një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, mediat në Tiranë nxituan të raportojnë se në fokus të diskutimeve do jetë porti ushtarak i Porto Romanos.
Teksa mediat u morën gjerësisht me fjalën e Ramës, i cili thotë se do të diskutohet për çështjen e portit të ri në Porto Romano, Rutte nuk e përmendi farë këtë gjë.
Në fjalën e Rutte, të zbardhur nga portali zyrtar i NATO-s, kjo çështje nuk figuron.
“Shqipëria është një aleate e fortë. Shqipëria do të arrijë 2% të shpenzimeve të mbrojtjes këtë vit, që është një angazhim i madh.
Shqipëria po zhvillon bazën e saj industriale të mbrojtjes, duke përfshirë edhe përmes ndërmarrjes së saj shtetërore, gjë që është e rëndësishme sepse kemi nevojë për një bazë të fortë industriale të mbrojtjes në të gjithë NATO-n.
Ju po ndihmoni shumë me Ukrainën. Për shembull, përmes Komandës sonë në Wiesbaden, ku kemi një delegacion shqiptar, por edhe përmes trajnimit gjuhësor për pilotët luftarakë, për teknikët. Pra, ju po bëni shumë kur bëhet fjalë për Ukrainën,” tha Rutte.
Kujtojmë se opozita ka akuzuar Ramën se po e përdor aferën e portit për të implikuar NATO-n në çështjen e Porto Romanos.
Porti ishte premtuar se do ndërtohej nga privatët, por tani po ndërtohet me fonde buxhetore në shifra marramendëse.