Ballina Ekonomia Aksionet e tatimeve, rriten faturimet dhe autofaturimet e fermerëve në qershor-gusht 2025

Aksionet e tatimeve, rriten faturimet dhe autofaturimet e fermerëve në qershor-gusht 2025

20
0

Autofaturimi i fermerëve ka shënuar një rritje të ndjeshme gjatë këtij viti, si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve të vazhdueshme të Administratës Tatimore, e cila ka ndërmarrë një fushatë të gjerë për formalizimin e sektorit bujqësor dhe blegtoral.

Sipas të dhënave zyrtare, krahasuar me një vit më parë vlera e faturimeve ka shënuar një rritje prej 19 milionë eurosh ndërsa numri i fermerëve aktivë është rritur me 57%.

Po kështu, edhe bumri i autofaturave të lëshuara ka njohur një rritje me 86.5%

Këto shifra tregojnë se formalizimi i zinxhirit ushqimor po ecën me ritme të shpejta, duke përmirësuar gjurmueshmërinë e produkteve, rritur transparencën dhe forcuar konkurrueshmërinë e ekonomisë.

Paralelisht me këto zhvillime, Administrata Tatimore ka intensifikuar fushatat e kontrollit në terren, duke synuar subjektet e sektorit bujqësor dhe blegtoral që vijojnë të operojnë në informalitet. Në disa raste, kjo ka sjellë jo vetëm aplikimin e gjobave, por edhe bllokimin e aktiviteteve për ata që nuk kanë respektuar detyrimet ligjore.

Ky kombinim mes masave ndëshkuese dhe lehtësive të ofruara për auto-faturimin po jep efektet e para konkrete, duke nxitur fermerët të regjistrojnë qarkullimin real dhe të bëhen pjesë e një sistemi më të ndershëm dhe transparent.

Autoritetet theksojnë se synimi i kësaj nisme është garantimi i një tregu më të drejtë për të gjithë aktorët, mbrojtja e konsumatorit përmes gjurmueshmërisë së produkteve ushqimore dhe krijimi i kushteve për rritjen e konkurrueshmërisë në sektorin agro-blegtoral.