Lumi Shkumbin, një nga lumenjtë më të rëndësishëm të Shqipërisë, është shndërruar në një venddepozitimi mbetjesh plastike, duke rrezikuar jo vetëm ekosistemin e tij të pasur, por edhe shëndetin e komuniteteve përreth dhe potencialin ekonomik të zonës. E vërteta është se plastika, me dekompozimin e saj të ngadalshëm paraqet një krizë jo vetëm mjedisore, por edhe shëndetësore me pasoja të gjera në shëndet.
Mbetjet plastike në lumin Shkumbin shkaktojnë dëme të mëdha në biodiversitet. Lumi, dikur një habitat i populluar nga specie të ndryshme peshqish, tani po përballet me rrezikun e zhdukjes së këtyre llojeve për shkak të ndotjes. Plastika, e cila ndahet në mikroplastikë, gëlltitet nga speciet dhe organizmat e tjerë ujorë.
Nga ana tjetër, shkalla e lartë e ndotjes nga mbetjet plastike përgjatë lumit Shkumbin po ndikon aktualisht drejtpërdrejt në cilësinë e ujit, duke e bërë të papërshtatshëm për përdorime të ndryshme, përfshirë ujitjen.
Uji me mikropastikë depërton përmes të gjitha produkteve bujqësore, apo spcieve ujore, që rriten në zonën ku këto mbetje depozitohen. Për pasojë, përmes ushqimit që ne marrim si nga produktet e tokës dhe nga speciet e gjalla në lumë apo në det, ku këto mbetje derdhen e depozitohen, mikroplastika përfundon brenda organizmit tonë.
Ajo mikroplastika, që gjendet tashmë në gjak dhe organet vitale, përbën një rrezik të madh për shëndetin publik, duke dëmtuar rëndë organet tona apo duke shkaktuar probleme të tjera shëndetësore afatgjata. Shkurt një “minë me sahat” për shëndetin e shqiptarëve, e cila nuk duket, nuk shihet, rritet ngadalë, por mund të shpërthejë në çdo moment e të shkaktojë edhe fatalitete.
Harta e pikave te nxehta te ndotjes ne Shkumbin
Për të ndërgjegjësuar si qeverinë qendrore, pushtetin lokal, dhe komunitetet e zonave përreth lumit Shkumbin, në kuadër të projektit BeMed+, INCA (Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri), nga një nga organizatat më të mëdha për mbrojtjen e mjedisit, po finalizon hartëzimin e pikave kritike të ndotjes plastike përgjatë pellgut të Shkumbinit, duke ofruar të dhëna të detajuara për ndërhyrjet e mundshme që mund të realizohen për të ndaluar këtë degradim të natyrës.
Projekti i udhëhequr nga INCA, në bashkëpunim me Surfrider Foundation Europe dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë, fokusohet në angazhimin e palëve të interesuara dhe zhvillimin e strategjive për reduktimin e plastikës në këtë mjedis. Për këtë arsye, nga 4-6 qershor 2025, INCA organizoi takime me aktorë kyç nga sektori i turizmit, industria HoReCa dhe institucionet lokale në Elbasan dhe Librazhd.
Këto takime përfshinë përfaqësues nga Agjencia Lokale e Turizmit, Federata Kombëtare e Raftingut, bizneset lokale si Hotel Imperial Elbasan dhe Café HANA, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit. Bashkia e Elbasanit dhe Ministria kanë shprehur mbështetje të fortë për projektin, duke rritur besueshmërinë e tij. Për më tepër, INCA ka bashkëpunuar me Delegacionin e BE-së në Tiranë për të zhvilluar një seminar të planit të veprimit, i planifikuar për nëntor 2025, ku do të diskutohen strategji konkrete për reduktimin e ndotjes plastike.
Një nga arritjet kryesore të INCA-s është finalizimi i një studimi mbi rrjedhjet e plastikës përgjatë pellgut të Shkumbinit. Ky studim, i ngjashëm me atë të kryer në Monastir, Tunizi, identifikon pikat kritike të ndotjes dhe propozon veprime të synuara për sektorët e turizmit, HoReCa dhe menaxhimit të mbetjeve. Gjithashtu, INCA ka krijuar një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Tiranës, ku tre studentë masteri po analizojnë varësinë nga plastika dhe skenarët e tranzicionit për reduktimin e saj në këta sektorë.
Në një faza të dytë të projektit BeMed+, e planifikuar për vitin 2026, fokusi do të bjerë në zbatimin e një plani veprimi për të reduktuar ndotjen plastike. Ky plan do të bazohet në gjetjet e studimit dhe do të përfshijë masa si përmirësimi i infrastrukturës së riciklimit, ndërgjegjësimi i komunitetit dhe promovimi i alternativave të qëndrueshme ndaj plastikës njëpërdorimshe.
Si përfundim, ndotja plastike në lumin Shkumbin përbën një kërcënim serioz për mjedisin, cilësinë e ujit dhe shëndetin e shqiptarëve. Me rreth 500 ton mbetje të hedhura çdo vit në zonat përreth dhe një ndikim ekonomik të konsiderueshëm, situata kërkon veprime urgjente. Përpjekjet e INCA-s, përmes projektit BeMed+, ofrojnë një të paktën një përpjekje dhe një shpresë për përmirësim, duke angazhuar palët e interesuara për të ndërhyrë në këtë situatë që po bëhet alarmante.
Vetëm veprimi i institucioneve mund të ndalojë degradimin e natyrës, por në mënyrë që të kalohet nga teoria në veprime praktike, gjithçka varet nga bashkëpunimi i fortë mes qeverisë, komuniteteve dhe sektorit privat, si dhe nga ndërgjegjësimi i publikut për të reduktuar konsumin e plastikës dhe për të promovuar një mjedis më të pastër dhe të qëndrueshëm./ Kapitali