Ballina Kosovë Dyshohet se i përkasin një personi që kërkohet për sulmin në Banjskë,...

Dyshohet se i përkasin një personi që kërkohet për sulmin në Banjskë, Policia e Kosovës gjen armë në veri

12
0

Policia e Kosovës tha se gjatë një kontrolli në veriun e Kosovës ka gjetur pajisje ushtarake, që tha se dyshohet se i përkasin një personi që kërkohet për sulmin në Banjskë. Sipas policisë, mëngjesin e 18 shtatorit, njësia e hetimeve Stacionit Policor Zveçan ka hasur në një rimorkio ku gjeti “dy thasë me uniforma, jelekë antiplumbë, pesë karikatorë të AK-47 me municion dhe pajisje tjera ushtarake”. Po ashtu janë konfiskuar rroba të tjera ushtarake, përfshirë edhe një uniformë kamofluese.

“Nuk ka persona të arrestuar dhe dyshohet se këto armë i përkisnin një personi të dyshimtë, i cili tashmë është në kërkim për rastin Banjska”, tha Policia, duke shtuar se ky rast është nën hetim. Më 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit, një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter. Gjatë këmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë. Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Kosova fajëson Serbinë, por Beogradi mohon se ka gisht në të. Autoritetet në Kosovë kanë ngritur aktakuzë për këtë rast. Aktualisht, gjykimi po zhvillohet ndaj tre të akuzuarve. Ndërkaq, Radoiçiq dhe 41 të tjerë të akuzuar për këtë rast ndodhen në arrati. Radoiçiq besohet se gjendet në Serbi. Autoritetet kosovare kanë gjetur armë të llojeve të ndryshme kohë pas kohe në pjesë të ndryshme të Kosovës, kryesisht në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe.