Franca po përjeton një nga ditët më të mëdha të protestave dhe grevave të fundit, me sindikatat që u bashkuan për të bërë presion mbi kryeministrin e ri, Sébastien Lecornu, për të rishikuar masat e kursimeve buxhetore dhe për të vepruar mbi pagat, pensionet dhe shërbimet publike.
Sipas policisë, rreth 900 mijë persona pritet të dalin nëpër rrugë në gjithë vendin, me ndikim edhe në shkolla, trenat dhe transportin ajror. Në mbarë Francën janë vendosur 80 mijë agjentë policie, ndërsa janë planifikuar 250 marshime.
Greva e sotme pritet të jetë më e madhe që nga viti 2023, kur mijëra qytetarë dolën për të protestuar kundër përdorimit të pushtetit ekzekutiv për të rritur moshën e daljes në pension në 64 vjet nga Emmanuel Macron, pa një votim në parlament.
Disa monumente dhe muze të njohur janë prekur nga grevat: Kulla Eiffel dhe disa pjesë të saj janë të mbyllura, ndërsa Louvre, Muzeu Eugène Delacroix dhe Musée d’Orsay kanë njoftuar mbyllje të pjesshme ose totale.
Derisa sindikatat raportojnë se 45% e mësuesve kanë marrë pjesë në grevë, ministria e Arsimit thotë se janë vetëm 17% e mësuesve që sot kanë pezulluar punën.
Gjatë ditës, 58 persona janë arrestuar në gjithë Francën, ndërsa vetëm në Paris janë 11 arrestime, sipas ministrit të Brendshëm Bruno Retailleau, i cili tha se protestat ishin “më pak intensive se sa pritej”.