Ka nisur edicioni i 20-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut.
Nga mbi 3.400 aplikime nga e gjithë bota, janë përzgjedhur 36 filma artistikë, dokumentarë dhe animacione, që pasqyrojnë shkelje të ndryshme të të drejtave të njeriut dhe dinamikën gjithnjë e më komplekse të tyre vit pas viti.
Në vijim të këtij edicioni, në ekran u sollën dy filma me tematika të forta dhe aktuale.
“A Shaman’s Tale – Urtësia e Shamanit” me regji të Beata Bashkirovës, tregon historinë e një shamani që nis udhëtimin drejt Moskës për të rrëzuar djallin, ndërsa në të njëjtën kohë ndjek protestat kundër regjimit të Vladimir Putinit dhe metodat represive të pushtetit.
Ndërsa “Raqmar” i regjisorit Aurelio Grimaldi sjell në fokus trafikun e qenieve njerëzore nga Maroku drejt Perëndimit, duke ekspozuar rrjetet e krimit dhe hipokrizinë me të cilën trajtohen shtresat më të varfra të shoqërisë.
“Është një film që flet për trafikimin e qenieve njerëzore, një plagë botërore. Ajo që është më e hidhur në këtë dramë është hipokrizia me të cilën trajtohen këto plagë,” tha regjisori Grimaldi.
Tema e këtij edicioni është “Të drejtat e njeriut në epokën digjitale”. Filmat e përzgjedhur po shfaqen në Akademinë “Marubi”, Autoritetin e Dosjeve, COD, Kuvendin e Shqipërisë, Shkollën e Magjistraturës, dhe në institucione të tjera kulturore e akademike.







