Ballina Bota Kina thotë se bota është në “udhëkryq mes paqes dhe luftës”

Kina thotë se bota është në “udhëkryq mes paqes dhe luftës”

12
0

Kina ka paralajmëruar kundër ndërhyrjes në çështjet e saj dhe kundër konflikteve të mëtejme, teksa tensionet rajonale janë rritur.

“Bota sot qëndron përballë një tjetër udhëkryqi: paqe apo luftë, dialog apo konfrontim”, tha ministri i Mbrojtjes, Dong Jung, gjatë ceremonisë hapëse të forumit Shiangshan në Pekin më 18 shtator.

Ai tha se Tajvani është pjesë e Kinës, duke shtuar se Ushtria e Kinës është një forcë e fuqishme, e aftë të mbrojë “ribashkimin”.

Pekini kurrë nuk do të lejojë që përpjekjet e Tajvanit për pavarësi të kenë sukses, tha Dong. Ai shtoi se Kina është e përgatitur të zmbrapsë çdo “ndërhyrje të huaj ushtarake” në çdo kohë, duke mos përmendur emra shtetesh në të cilat aludonte se mund të bënin një ndërhyrje të tillë.

Tajvani, shtëpi e 23.4 milionë personave, ka qeveri të veten që nga viti 1949. Megjithatë, Kina pretendon se ai është pjesë e territorit të saj dhe shpesh kërcënon se mund ta marrë atë, duke mos e përjashtuar as përdorimin e forcës.

Shtetet e Bashkuara, mbështetësi kryesor i Tajvanit, janë ligjërisht të detyruara të mbështesin kapacitetet mbrojtëse të ishullit vetëqeverisës, sipas Ligjit për raporte me Tajvanin të vitit 1979.

Për shkak të mosmarrëveshjeve, veçanërisht me Filipinet, mbi zonat e pasura me burime në Detin e Jugor të Kinës, Dong theksoi se Kina do të mbrojë sovranitetin e saj territorial si dhe të drejtat dhe interesat e saj.

Sipas ministrit kinez, synimi për një dominim absolut ushtarak dhe qasja se “i forti ka të drejtë” do të çojnë “në rregullin e xhunglës”.

Së fundi, Kina e shpalli një ishull koralor në Detin Jugor të Kinës si rezervë natyre.

Forumi Shiangshan konsiderohet si kundërpeshë e Kinës ndaj konferencës ndërkombëtare të sigurisë, Shangri-La Dialogue, që mbahet çdo vit në Singapor.

Shtetet perëndimore zakonisht dërgojnë vetëm përfaqësues me rang më të ulët në Forumin Shiangshan – Gjermania dhe SHBA-ja dërguan atashe ushtarakë nga ambasadat e tyre. Ndërkohë, Kina dërgoi këtë vit një delegacion të nivelit të ulët në Singapor për herë të parë pas një kohe të gjatë, duke pamundësuar një takim mes Dongut dhe sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth.

Disa vende nga Azia Qendrore dhe Jugu Global dërguan ministrat e tyre të Mbrojtjes. Sipas Kinës, politikanë të fushës së mbrojtjes dhe ekspertë nga më shumë se 100 vende kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në forumin Shiangshan./REL