Ballina Rajoni Mali i Zi shtyn hekurudhën me Shqipërinë për në 2027-ën

Mali i Zi shtyn hekurudhën me Shqipërinë për në 2027-ën

0
21

Zhvillimi i projektit kryesor për rindërtimin e 25 kilometrave të hekurudhës nga Podgorica deri në kufirin me Shqipërinë është në proces, dhe përgatitja e dokumentacionit teknik për këtë projekt duhet të përfundojë në fillim të vitit 2027.

Kjo u tha zyrtarisht për “Vijesti” nga Infrastruktura Hekurudhore (ŽICG), e cila po punon me Bankën Evropiane të Investimeve (EIB) në projektin e elektrifikimit dhe rinovimit të hekurudhës.

“Ky është një projekt strategjik që synon modernizimin dhe elektrifikimin e hekurudhës. Kostot përfundimtare do të dihen pas përfundimit të dokumentacionit teknik, ndërsa financimi pritet përmes një kombinimi të burimeve ndërkombëtare dhe pjesëmarrjes kombëtare. Puna për përgatitjen e dokumentacionit teknik filloi në tremujorin e dytë (prill – qershor) 2025 dhe është planifikuar të përfundojë deri në tremujorin e parë (janar – mars) 2027. Përfundimi i projektit kryesor dhe sigurimi i fondeve për modernizim do të krijojë kushtet për shpalljen e një tenderi për kontraktorin. Pas kësaj, afatet për fillimin e vetë zbatimit do të përcaktohen më saktë. BEI është institucioni kryesor financiar në këtë projekt dhe koordinon të gjitha aktivitetet, përfshirë miratimin e projektit kryesor”, theksoi ŽICG.

Shqipëria

Ndërkohë qeveria shqiptare ka çelur zyrtarisht tenderin për përzgjedhjen e kompanisë që do të ndërtojë hekurudhën 370 milionë euro nga Vora deri në Hanin e Hotit. Të paktën pesë kompani kanë kaluar fazën e parë të tenderit që lidhet me mbikëqyrjen e punimeve dhe të gjitha kontratave të furnizimit dhe instalimeve elektro-mekanike (E&M).

Në faqen e prokurimeve të BERZH u renditën edhe emrat e kompanive të cilat do të vijojnë tani me fazën e dytë.

Tenderi është pjesë e projektit rehabilitimi i linjës hekurudhore Vorë – Hani i Hotit dhe konkretisht për procedurën “Konsulencë për mbikëqyrjen e punimeve dhe të gjitha kontratave të furnizimit dhe instalimeve elektro-mekanike (E&M)”. Aplikimet u dorëzuan në 10 qershor teksa njoftimi për emrat e kompanive u bënë në datë 28 korrik 2025.

Lista e kompanive që kanë kaluar fazën e parë të përzgjedhjes, ndër të cilat janë disa konsorciume ndërkombëtare si:

ALTINOK – DMEC – IPSA Joint Venture Turkey

DB E&C – Typsa – Abkons Germany

Hill International N.V. – TUMAS Turkısh Engıneerıng Consultıng & Contractıng Co. – PLANET S.A. – SYSTEMA Consulting S.A. Netherlands (the)

JV SUEZ Consulting (SAFEGE) and Eptisa Servicios de Ingenieria S.L., France

SYSTRA – ARDANUY

Projekti Vorë-Hani i Hotit

Kosto totale për ndërtimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit vlerësohet rreth 370 milionë euro, teksa do të jetë bashkëfinancim nga një sërë institucionesh financiare ndërkombëtare. Projekti synon rehabilitimin dhe ndërtimin e 120 kilometrave linjë hekurudhore.

Ky projekt është pjesë e zgjatimit të Rrjetit Kryesor të Transportit Trans-Europian TEN-T në Ballkanin Perëndimor, i cili do të lidhë Shqipërinë me rrjetet hekurudhore rajonale dhe europiane përmes Korridorit X pan-Europian.

Hekurudha Vorë-Hani Hotit kalon në shtatë bashki dhe përshkon Ultësirën Perëndimore të Shqipërisë, me drejtim nga Jugu në Veri. Hekurudha lidh qendrat urbane të Vorës, Mamurrasit, Laçit, Milotit, Lezhës, Shkodrës dhe Koplikut.

Ajo kalon kufirin shtetëror Shqipëri/Mal i Zi në Hanin e Hotit (km 140). Sipas ndarjes administrative, hekurudha përshkon territoret e shtatë bashkive (Vorë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Vau Dejës, Shkodër dhe Malësi e Madhe).