Ballina Sport Mou zbarkon në Lisbonë, “The Special One” nis aventurën te Benfica: Thashë...

Mou zbarkon në Lisbonë, “The Special One” nis aventurën te Benfica: Thashë menjëherë po

17
0

José Mourinho është gati të rikthehet në pankinë. Pas shkarkimit nga Fenerbahçe vetëm pak ditë më parë, “Special One” ka arritur një marrëveshje me Benficën, klubin ku 25 vite më parë nisi për herë të parë rrugëtimin si trajner i parë.

Marrëveshja është zyrtarizuar këtë të mërkurë, dhe kontrata do ta mbajë Mourinhon të lidhur me “Shqiponjat” deri në vitin 2027. Ai pritet të mbërrijë pasditen e sotme në qendrën stërvitore të klubit për të zhvilluar seancën e tij të parë.

Dje, në kthimin e tij në Portugali pas disa ditësh në Barcelonë, Mourinho u shpreh për gazetarët se nuk e kishte menduar dy herë kur i ishte ofruar mundësia për të drejtuar Benficën. Fjalë të pakta, por të qarta: “Thashë menjëherë po.”

Portugezi merr vendin e Bruno Lage, i shkarkuar pas eliminimit të bujshëm nga Qarabag në Champions League. Dhe ironia e fatit nuk mungon: Mourinho u shkarkua nga Fenerbahçe pas një tjetër eliminimi… pikërisht nga Benfica.

Për Mourinhon, kjo është më shumë se një marrëveshje – është një rikthim në shtëpi. Por bashkë me emocionin, nuk mungoi as një thumbim për ish-presidentin e Fenerbahçes, Ali Koç. “Unë zakonisht largohem pa provokuar. Ai, jo. Ka folur shumë, por nuk ka shpjeguar pse lojtari që na eliminoi – Akturkoglu – u ble vetëm pasi ndodhi ajo eliminim.”

Megjithatë Fenerbahçe i përket të shkuarës tashmë, pasi “The Special One” është gati për të nisur këtë aventurë të re. Benfica nis një epokë të re me Mourinhon në pankinë – dhe sytë e futbollit europian do të jenë sërish mbi të.