Ballina Aktualitet Projekti i një kulle 19-katëshe cenon oborrin e shkollës “1 Maji”

Projekti i një kulle 19-katëshe cenon oborrin e shkollës “1 Maji”

39
0

Një kullë 19-katëshe dhe katër kate nëntokë pritet të ndërtohet në Bulevardin Bajram Curri, pranë shkollës 9-vjeçare “1 Maji” në Tiranë.

Leja e Zhvillimit është miratuar nga qeveria më 25 shtator 2024 për llogari të “Union Bank” dhe kompanive të lidhura me disa prej anëtarëve të Këshillit të saj Drejtues: “Auto-City” dhe “Arch Investor” – të zotëruar nga Edmond Leka, Niko Leka, Varuzhan Piranjani, etj.

Sipas dokumenteve zyrtare të bëra publike nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT), godina do të shërbejë si seli qendrore për bankën për zyra dhe administratën. Ndërkohë, për nivelet e sipërme funksioni parashikohet edhe për shërbime si për shembull një bar dhe një tarracë për evente.

Sipas planeve të shoqëruara me relacionin shpjegues, godina do të zgjerohet me hapësirën përreth duke ndërhyrë deri në oborrin e shkollës “1 Maji”, dhe strukturën e rrugës.

Projekti i Kullës së Union Bank te Ali Demi/Nga leja e Zhvillimit.

Nga shkolla “1 Maj” thanë për Citizens.al se nuk kishin dijeni për projektin dhe nuk ishin kontaktuar ndonjëherë për idenë e zhvillimit. Ata u shprehën se kishin marrë dijeni vetëm pasi informacioni ishte botuar në mediat sociale.

Në relacionin teknik për ndërtimin thuhet se “ndërtesa e shkollës ka një fasadë të varfër, me materiale të dobëta dhe joefikase”.

Për këtë projekti propozon rikonceptimin e fasadës me shtimin e “elementeve modulare” si blloqe betoni që do të shërbejnë si vazo për “gjelbërim fasade” në mënyrë që të garantohet “një lojë me vëllime të rastësishme dhe jo të mërzitshme”.

Shkurt, investitori interesohet të ndërhyjë te shkolla “1 Maji” që godina e tij të duket më bukur estetikisht.

Shkolla “1 Maji” u rikonstrukuta për herë të fundit në vitin 2016 me një investim prej rreth 400 milionë lekësh të Bashkisë Tiranë. Por propozimi i bërë nga investitori privat i një kulle krah kësaj shkolle po kërkon investim tjetër publik.

Grupi projektues ishte SOA Architecture – e arkitektëve Eurind Caka dhe Stefano Bastia, të njohur për konceptin e rindërtimit të shkollës “Sami Frashëri” – dhe MVM Architecture, Construction & Development – e Alket Meslanit, arkitekt dhe sipërmarrës i njohur kryesisht për angazhimin te Dea Studio.

Ky grup arkitektësh propozoi edhe një “sistemim” të hapësirës përpara shkollës. Në relacion thuhet se do të “riorganizohet hyrja dhe lidhja me shkollën”. Nga sa kuptohet nga pamjet e në dokument, në këtë pikë propozohet heqja e një ishulli trafiku që është aktualisht në rrugën nga bulevardi “Bajram Curri” me drejtim hyrje-dalje nga “Rruga Ali Demi” dhe po kështu të bustit të Ali Demit.

Propozimi për ndërhyrje në fasadë dhe oborrin e shkollës “1 Maji”/Relacioni i Lejes së Zhvillimit.

Në vend të bustit dhe instalacionit me emrin “Ali Demi”, propozohet dalja direkte me rrugë dhe zgjerimi i pjesës përballë shkollës “1 Maji” me një hapësirë të propozuar si lulishte dhe vend rekreacioni për komunitetin.

Nuk është e qartë nëse ky propozim është trajtuar apo marrë në konsideratë. Por, Bashkia e Tiranës konfirmoi përmes një përgjigjeje zyrtare për Citizens.al se nuk ka pasur asnjë konsultim publik për këtë projekt ndërtimi.

“Sektori i Konsultimit Publik dhe Opinioneve Qytetare […] nuk ka marrë asnjë kërkesë për konsultim publik për ndërtimin 19-katësh pranë shkollës ‘1 Maji’”, thuhet në përgjigje.

Plani i Detajuar Vendor (PDV) i zonës (TR/88), miratuar më 3 qershor 2024 – pra 3 muaj para se qeveria t’i jepte lejen e zhvillimit bankës Union, – nuk parashikon asnjë ndërhyrje të tillë në konceptin e zhvillimit me rrugë apo dhe njësi institucionesh apo arsimi sikurse parashikohet për Zonën 5 (që përkon me shkollën 1 Maji).

Përkundrazi, në PDV mbahet e njëjta ide qarkullimi mes rrugës Ali Demi dhe Bulevardit Bajram Curri.

Citizens.al ka raportuar shpesh për faktin se qeveria – përmes Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit – e ka pushtetin për t’iu mbivendosur me plane të tjera zhvillimi planeve vendore.

Kjo qasje që tjetërson PDV-të me një të rënë të lapsit ka sjellë një zhvillim kaotik urban dhe aspak të qëndrueshëm në Tiranë.

Ishulli i trafikut dhe instalacioni i “Ali Demit”, që propozohet të ndryshohet/Google Street.

Ndërtimi i një kulle 16-katëshe pranë shkollës “Emin Duraku” është një tjetër rast i ngjashëm zhvillimi.

Banorët dhe prindërit e nxënësve protestuan, kërkuan ndërprerjen e punimeve, verifikimin ligjor të projektit dhe hetim penal për institucionet përgjegjëse pasi godina parashikohet të ngrihet mes tre pallatesh ekzistuese.

Pavarësisht reagimeve, ndërtimi vijoi dhe objekti është duke u ngritur./ Citizens