Ballina Politika Reuters shkruan për skandalin në Kuvend: Shqipëria e ‘mbytur’ nga krimi dhe...

Reuters shkruan për skandalin në Kuvend: Shqipëria e ‘mbytur’ nga krimi dhe korrupsioni, integrimi në 2030 i komplikuar

85
0

Mediat ndëkombëtare i kanë kushtuar vëmendje seancës së sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë, ku u votua qeveria e re dhe mandati i katërt i Edi Ramës si kryeministër.

Agjencia prestigjioze “Reuters” i ka kushtuar një artikull të veçantë zhvillimeve në Tiranë, duke e cilësuar mandatin e ri si të mbështetur në një projekt të diskutueshëm: emërimin e një ministre të krijuar nga inteligjenca artificiale për të luftuar korrupsionin në prokurimet publike.

Media britanike thekson gjithashtu se Shqipëria ka vuajtur nga skandale korrupsioni dhe është konsideruar një qendër e pastrimit të parave nga rrjete kriminale, çka vë në pikëpyetje efektivitetin e “zgjidhjeve teknologjike” të ofruara nga qeveria.

Shkrimi i Reuters

Parlamenti i Shqipërisë konfirmoi të enjten mandatin e katërt katërvjeçar për Kryeministrin Edi Rama, i cili u zotua se do të bëjë mision kryesor anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.

Rama, që ishte kandidati i vetëm për postin e kryeministrit, mori 82 vota nga 140 deputetë të parlamentit. Partia Socialiste, që ai drejton, fitoi shumicën për herë të katërt radhazi në zgjedhjet e mbajtura në maj.

“Shqipëria në BE në 2030 është qendra e këtij mandati. Shqipëria Europiane është busulla që na udhëheq në çdo aspekt të programit dhe metronomi i ritmit të çdo reforme që do të ndërmarrim”, tha Rama para deputetëve.

Megjithatë, imazhi i Shqipërisë vazhdon të njolloset nga skandale korrupsioni dhe, sipas analistëve politikë, vendi është kthyer në një qendër për rrjete kriminale që pastrojnë para nga trafiku i drogës dhe armëve, faktorë që e komplikojnë objektivin për anëtarësim në BE brenda vitit 2030.

Në një lëvizje të papritur, Rama propozoi javën e kaluar një ministër të krijuar nga inteligjenca artificiale, të quajtur “Diella” (që do të thotë “Dielli”), për të menaxhuar dhe shpërndarë tenderët publikë ndaj kompanive private, me qëllimin e deklaruar për të adresuar shqetësimet mbi korrupsionin.

“Nuk jam këtu për të zëvendësuar njerëzit, por për t’i ndihmuar ata,” u shpreh Diella në një fjalim video para se të votohej qeveria e re.

Por opozita e kritikoi emërimin si antikushtetues, duke theksuar se “ministrja” nuk është qenie njerëzore, nuk ka shtetësi shqiptare dhe mund të hapë rrugën për një nivel të ri të korrupsionit të padukshëm.

“Është e vërtetë, nuk kam asnjë shtetësi, as ndonjë ambicie personale apo interesa,” u citua Diella.

Opozita gjithashtu kritikoi Ramën për mungesë të një debati publik përpara votimit të qeverisë së re.

“Ky mandat është ngritur mbi krimin, mbi korrupsionin, mbi drogën dhe mbi shkeljen e Kushtetutës dhe ligjeve të vendit,” deklaroi Sali Berisha, lideri i Partisë Demokratike të Shqipërisë