Ballina Aktualitet Sherri në Qytet Studenti, reagon Rezidenca Studentore: Kishte fluks të pazakontë! Ka...

Sherri në Qytet Studenti, reagon Rezidenca Studentore: Kishte fluks të pazakontë! Ka mjaftueshëm vende…

73
0

Pas situatës së tensionuar të krijuar në Qytetin Studenti, ku efektivë policie u përplasën me studentët që kërkonin të regjistroheshin për akomodim, Rezidenca Studentore Universitare Nr. 1 ka dalë me një deklaratë zyrtare, ku sqaron rrethanat që çuan në këtë përballje. 

Sipas reagimit, tensionet u shkaktuan nga fluksi i pazakontë i aplikimeve për regjistrim në Godinën Nr. 3, e cila sapo është rikonstruktuar me standarde bashkëkohore dhe ofron një kapacitet prej vetëm 61 vendesh (30 dhoma dyshe dhe 1 vend për persona me aftësi ndryshe).

Numri i aplikantëve arriti në rreth 300 studentë, duke tejkaluar shumëfish kapacitetin dhe duke sjellë përplasje gjatë procesit të regjistrimit. 

Deklarata e Rezidencës Studentore Universitare Nr.1: 

Rezidenca Studentore Universitare Nr. 1 njofton se, gjatë ditës së sotme, u evidentua një fluks i pazakontë aplikimesh për regjistrim në Godinën Nr. 3, e cila sapo është rikonstruktuar me standarde bashkëkohore. Ky objekt ofron një kapacitet prej 61 vende (30 dhoma dyshe + 1 vend për persona me aftësi ndryshe), ndërkohë që numri i aplikantëve arriti në rreth 300 studentë, duke shkaktuar momente tensioni gjatë procesit të regjistrimit. 

Godina Nr. 3 është pjesë e Projektit të Rikonstruksionit të Godinave të Qytetit Studenti me Efikasitet Energjetik, financuar nga Banka Gjermane për Zhvillim (KfW) dhe Bashkimi Evropian. 

Faza e parë e projektit ka përfunduar me rikonstruksionin e pesë godinave. 

Faza e dytë, që pritet të nisë në një periudhë të afërt, përfshin rikonstruksionin e 14 godinave të tjera. 

RSU Nr. 1 siguron se kapacitetet e përgjithshme akomoduese janë të mjaftueshme për të plotësuar kërkesat e të gjithë studentëve. Aktualisht janë të disponueshme hapësira banimi në godinat 24, 25, 26, 27, 28 dhe 29, të cilat ofrojnë kushte të rregullta jetese dhe shërbimet e nevojshme për një akomodim dinjitoz.