Arsimi profesional po bëhet gjithnjë e më shumë zgjedhja e parë për të rinjtë në Durrës. Sipas të dhënave, mbi 16 mijë nxënës janë regjistruar këtë vit në arsimin profesional në të gjithë vendin, një shifër që po rritet çdo vit dhe që tregon ndryshimin e qasjes së të rinjve ndaj të ardhmes së tyre. Degët më të kërkuara mbeten teknologjia e informacionit, mekanika, elektroteknika dhe shërbimet e mjeteve të transportit.
Një shembull konkret është shkolla profesionale “Beqir Çela” në Durrës, ku këtë vit janë hapur 11 klasa të dhjeta, dhe mbi 1200 nxënës në total. Rreth 40% e tyre ndjekin shërbimet e mjeteve të transportit, ndërsa interes në rritje po shfaqet edhe për teknologjinë e informacionit, ku për herë të parë janë regjistruar pesë vajza.
“Këtë vit kemi hapur 11 klasa të dhjeta, po aq sa vitin e kaluar. Trendet vazhdojnë në të njëjtat ritme, ku peshën kryesore e mban shërbimi i mjeteve të transportit, elektroteknika, TIK dhe mekanik”, tha Fatmir Merkuri , drejtori i shkollës profesionale.
Ekspertët e punësimit e lidhin këtë prirje me kërkesat e tregut.
“Nevoja e tregut të punës orientojnë drejt arsimit profesional. Janë një garanci punësimi, një mundësi e artë për të krijuar stabilitet ekonomik. Këto profesione jo vetëm që po punësohen, por edhe paguhen mirë. Ky është motivi kryesor që të rinjtë po largohen nga arsimi i përgjithshëm”, theksoi eksperti Arbër Xhihani.
Edhe vetë nxënësit e shohin këtë si një investim për të ardhmen.
Studentja u shpreh se: “Gjithçka po shkon drejt teknologjisë tani dhe shoh një të ardhme shumë të mirë në këtë degë”.
Një tjetër student e TIK tha se: “Përveçse preferoj lëndën TIK, kjo është edhe një e ardhme shumë e mirë për mua.”
Rritja e interesit për arsimin profesional po kthehet në një trend kombëtar, që sipas ekspertëve do të vazhdojë, pasi këto profile ofrojnë jo vetëm siguri punësimi dhe të ardhura më të larta, por edhe mundësi jashtë vendit, në tregje më të zhvilluara.







