Ballina Kronika Vrasja e Bujar Nasufit/ Hetimet zbulojnë shkaqet, kush fshihet pas ekzekutimit mafioz

Vrasja e Bujar Nasufit/ Hetimet zbulojnë shkaqet, kush fshihet pas ekzekutimit mafioz

18
0

Detaje të reja janë zbardhur sa i takon ekzekutimi të Bujar Nasufit në zonën e Selitës. Sipas burimeve një konflikt pronësie dyshohet se është shkaku i vrasjes, bëhet fjalë për truallin e banesës që dikur i përkiste babait të Nasufit, por ishte shitur tek familja Xhani, fqinjë të tyre.

Megjithatë, dokumentacioni vijonte të rezultonte ende në emër të Nasufit. Në momentin e shpronësimit për ndërtimin e Unazës së Madhe, kompensimi prej rreth 30 mijë eurosh iu kalua llogarisë së familjes Nasufi, duke ndezur një konflikt të hapur mes dy familjeve. Hetimet e deritanishme kanë çuar në identifikimin e dy personave që dyshohet se porositën atentatin: vëllezërit Voltan dhe Jugert Xhani.

Ata akuzohen se urdhëruan eliminimin e 56-vjeçarit, i cili u ekzekutua me armë zjarri teksa po parkonte makinën pranë banesës së tij. Ekzekutimi mendohet të jetë kryer nga një vrasës me pagesë, i cili kishte maskuar identitetin si shpërndarës picash. I veshur me rroba të zeza, ai qëlloi disa herë me armë ndaj Nasufit, ndërsa më pas dogji motorin dhe armën e krimit, që u gjetën nga policia. Hetuesit vijojnë ende hetimit për të zbuluar ekzekutorin.

Ndërkohë, vëllezërit Xhani pak muaj më parë, ata u arrestuan nga forcat RENEA në një restorant në Gjirin e Lalzit, ku ndodheshin në shoqërinë e personazheve të njohur të botës së krimit. Përveç akuzës për porositjen e vrasjes së Nasufit, ata lidhen edhe me ekzekutimin e Elis Roshkodolit në Shkodër, në gusht të vitit 2024.