Ballina Lifestyle 500 mijë euro për një dasmë? Zëdhënësja e Berishës mbron Topallin: Mori...

500 mijë euro për një dasmë? Zëdhënësja e Berishës mbron Topallin: Mori bujë kot, kemi parë evenimente akoma më luksoze

28
0

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Floriana Garo, ka komentuar dasmën e shumëpërfolur të Genar Topallit dhe Cindy Marinës, e cila u zhvillua disa ditë më parë në Romë.

Garo, e ftuar në ceremoninë e martesës, tha se zhurma mediatike u shkaktua kryesisht nga destinacioni i përzgjedhur për eventin dhe jo nga ndonjë element luksi apo provokativ. Ajo e përshkroi dasmën si “elegante dhe normale”, duke theksuar se vendi ku u mbajt ceremonia, Kisha e Shën Marisë në Romë,  ka tërhequr vëmendje për shkak të famës së saj, pasi aty është martuar më parë edhe futbollisti Francesco Totti.

“Mendoj se zgjedhja e destinacionit nxiti këtë zhurmë, pasi kemi parë dasma më luksoze në Shqipëri, me mbërritje me helikopter apo balona, apo shkelje të parave me këmbë. Kjo ishte një dasmë elegante dhe normale. Kisha e Shën Marisë ishte pika që krijoi bujën më të madhe sepse është shumë e bukur,” deklaroi Garo.

Ajo shtoi se zgjedhja e Romës nuk ishte një akt luksi, por një vendim i ndikuar nga faktorë familjarë dhe shpirtërorë: “Dasma u organizua me kontributin kryesor të familjes së nuses, e cila ka emigruar në Itali. Roma u zgjodh si destinacion për afërsi shpirtërore dhe për akses të lehtë për të ftuarit nga Shqipëria.”

Floriana Garo ftoi publikun që të mos politizojë gëzimin e çiftit të ri, por ta shohë këtë event si një moment të bukur dhe të natyrshëm në jetën e tyre.