Nga Erl Kodra
Shpesh kam shkruar rreth teknologjisë dhe rrezikut real që i kanoset demokracisë – ashtu siç e kemi njohur. Në të vërtet teknologjia nuk është rrezik në vetvete, por përdorimi i saj pa kriter dhe rregulla të qarta kufizuese sjell rreziqe eksponenciale, të afta të rrënojnë çdo demokraci. Me fjalë të tjera, teknologja po na drejton drejt një forme të re totalitarizmi dystopian, të panjohur më përpara nga shoqëria njerëzore.
Gjatë shekullit të 20-të, të gjitha format e diktaturave mbështeteshin në kontrollin absolut dhe dhunë brutale. Megjithatë, edhe në diktaturat më të errëta kishte oaze lirie, ku njeriu qëndronte me të dashurit e tij ose vetëm me mendimet e tij, duke jetuar një formë të kufizuar lirie, ku askush nuk mund të depërtonte. Ndryshe nga ai lloj totalitarizmi i egër, teknologjia e sotme i ka tharë edhe këto oaze privatësie, duke eleminuar çdo hapësirë ku njeriu mund të fshihet në intimitetin e tij.
Me teknologjin e sotme si kamerat, mikrofonat, aplikacionet dhe algoritmet, që mbledhin dhe përpunojnë të dhëna për çdo individ të plantetit tokë, shteti dhe korporatat kanë krijuar profilin e çdo banori të botës. Me këto informacione gjigande – për gjithkënd dhe për gjithçka – jeta e çdo njeriu është një libër që hapet me një klik. Sot gjithkush është i gjurmueshëm dhe i kontrollueshëm edhe në ëndrrat dhe dëshirat më të fshehta.
Edi Rama ka krijuar i pari në botë një Ministër Virtual – pikërisht ai që përpunon të dhënat personale të çdo qytetari shqiptar. Edhe unë kam ndërvepruar me E-Albania, sepse ishte e vetmja mënyrë që të merrja një shërbim nga qeveria e vendit të cilit i përkas. Por kryeministri ka vendosur që këtij lloj “shërbimi inteligjent/teknologjik” – t’i atribuojë edhe cilësi vendim-marrëse, duke e ngritur në rangun e një ministri, që varet direkt nga ai. Këtë do ta kishte zili edhe diktatori më i egër i shekullit të 20-të. Dhe mos harroni, ky “ministër” ka në dorë të gjitha të dhënat personale të çdo banori të Republikës së Shqipërisë.
Është e pakrahasueshme aftësia e Edi Ramës për të kontrolluar gjithçka përmes Ministrit Diella me kontrollin që ushtronte dikur regjimi i Enver Hoxhës përmes Sigurimit të Shtetit. Ministri Diella thjesht mund të dijë gjithçka për gjithkënd, nuk tradhëton kurrë, nuk mban asnjë përgjegjësi, nuk i fshehë asgjë shefit, është i/e dëgjueshme dhe i/e palodhur.
Ndërsa Sigurimi mbështetej në spiunë të veshur me pantollona teritali, Diella mbledh të dhëna masive në kohë reale, duke krijuar profile të detajuara të sjelljes, preferencave dhe historikut financiar të çdo qytetari, dhe ia raporton menjëherë shefit. Të zotërosh të dhëna të tilla në një sistem të vetëm inteligjent – me atributet e një Ministri – do të thotë vdekje e demokracisë. Nëse më gjeni një formulim tjetër, do të isha i lumtur.
Teknologjitë e avancuara, të fuqizuara me Inteligjencë Artificiale po përdoren masivisht nga korporatat, biznesi dhe qeveritë rrotull botës. Askush nuk është në gjendje të dijë nëse të dhënat që gjenerohen nga qytetarët po përdoren për apo kundër interesave të tyre. Askush nuk është në gjendje të dijë se sa thellë ka shkuar manipulimi emocional i individëve – sepse manipulimi emocional përkthehet direkt në manipulim politik. Eksperimenti i hapur i Edi Ramës me Ministrin Diella është i pari në botë, dhe me siguri që bota po përballet me këto dilema. Pyetjet kritike asnjëherë nuk vijnë nga qeveritë ose nga korporatat, por ato duhet të vijnë nga njerëzit:
A po jetojmë në njëlloj të ri totalitarizmi dystopik?