Policia e Torontos ka njoftuar se ka identifikuar autorin e dyshuar për vrasjen e 43-vjeçarit shqiptar Paulin Harusha më 13 shtator 2025, në Kanada.
43 vjeçari u qëllua për vdekje brenda makinës së tij më 13 shtator, pranë kryqëzimit të Victoria Park dhe Sheppard Avenue.
Harusha u gjet i plagosur brenda automjetit, dhe pavarësisht përpjekjeve për t’i shpëtuar jetën, ai ndërroi jetë në vendngjarje.
I dyshuari, i identifikuar si 34-vjeçari Meelad Tarin, është shpallur në kërkim me urdhër arresti në të gjithë Kanadanë për vrasje të shkallës së parë.
Në një konferencë shtypi më 18 shtator, në selinë e policisë, Detektiv Serxhant Alan Bartlett tha se policia kishte informacion se në ngjarje ishin përfshirë disa persona që ishin larguar nga vendi me një makinë fuoristradë SUV me ngjyrë të çelët.
Hetuesi Det. Sgt. Alan Bartlett tha se ekziston një njohje mes viktimës dhe të dyshuarit, por natyra e marrëdhënies dhe motivi i krimit janë ende nën hetim.
Duke i bërë apel autorit të dorëzohet i kërkoi informacion qytetarëve që mund të çojnë në kapjen e të dyshuarit ndaj të cilit u lëshua një urdhër arresti.