Fitim Dumani, vëllai i vogël i të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani, ka treguar për herë të parë se në dijeni në tyre vrasja e vëllait të ish-deputetit socialist të Lezhës, Arben Ndoka, është porositur nga një politikan i madh në Shqipëri, i cili sot është prapa hekurave.
Duke folur ekskluzivisht për emisionin “Ma Shqip”, vëllai i vrasësit me pagesë ka thënë se me zbardhjen e vrasjes së Aleksandër Ndokës, SPAK ka shancin të tregojë veten, se çfarë institucioni është.
“Vrasja… aty do shohim se ku shkon SPAK-u. Është porositur nga dikush që është shumë i madh këtu. E ke në burg”, tha Fitim Dumani. Vëllai i vogël i Nuredinit tregoi për gazetarin Vezaj se dhe atij vetë i është hequr mbrojtja nga shteti.
Fitim Dumani: Edhe këtë Durim Bamin, që e ngatërrojnë, i bien më qafë kot.
Flamur Vezaj: Për cilin rast?
Fitim Dumani: Për vrasjen e vëllait të atij…
Flamur Vezaj: Po përse nuk e ka bërë Durim Bami vrasjen e Ndokës?!
Fitim Dumani: Sa ke lidhje ti, ka edhe ai.
Flamur Vezaj: Po kush e ka bërë, ke informacion? E ka thënë Nuredin Dumani se kush?
Fitim Dumani: S’ka lidhje Nuredini aty, ka lidhje dikush tjetër.
Flamur Vezaj: Kush? Të Fushë Krujës apo të Shkodrës?
Fitim Dumani: Jo, jo jo s’kanë lidhje fare as ata andej. Vrasja… aty do shohim se ku shkon SPAK-u. Është porositur nga dikush që është shumë i madh këtu. E ke në burg.
Tre vite më parë, në 2 Qershor 2022, gazetari Artan Hoxha ka zbardhur një dëshmi tronditëse të Nuredin Dumanit. Ai tha në emisionin “Opinion” se sipas Dumanit, Ilir Meta ka porositur vrasjen e vëllait të një deputetit të PS.
Ngjarja për të cilën flet gazetari dhe e dëshmuar nga Nuredin Dumani para SPAK, lidhet me ekzekutimin mafioz në derën e shtëpisë së Aleksandër Ndokës, vëllai i ish-deputetit të PS Arben Ndoka. Ngjarja dhe sot e kësaj dite është pa autor.
“Një nga tre politikanët më të rëndësishëm që janë sot, gjatë një fushate ka porositur një vrasje. Bëhet fjalë për një ngjarje që ka ndodhur në vitin 2017, pas fushatës elektorale. Konflikti ka nisur gjatë fushatës në Qarkun e Lezhës, gjatë kohës që bëheshin takime. Pas fushatës ka ndodhur vrasja e një përfaqësues i mazhorancës. Është vrasje pa autor.
Sipas Dumanit, kjo vrasje është porositur nga një politikan i rëndësishëm. Është vrarë vëllai i një deputeti të mazhorancës. Këto janë gjëra që duhen verifikuar. Sipas Dumanit, Ilir Meta ka porositur vrasjen e vëllait të një deputeti në Lezhës.
Nuredini thotë se me personat që janë marrë me ngjarjen unë kam pasur njohje. Ai ka dhënë dëshmi. Puna është si do verifikohet. Kjo është shumë e rëndë po të ketë ndodhur. Por fakt është që Sandër Ndoka është vrarë në derën e shtëpisë”, u shpreh Artan Hoxha në Opinion.