Ballina Kosovë Gjermania përgënjeshtron Listën Serbe për integrimin e institucioneve

Gjermania përgënjeshtron Listën Serbe për integrimin e institucioneve

23
0

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka përgënjeshtruar deklaratat e Listës Serbe lidhur me integrimin e institucioneve arsimore dhe shëndetësore në sistemin e Kosovës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rohde tha se deklarata e bërë një ditë më parë nga Lista Serbe se integrimi i këtyre institucioneve nuk ka qenë kurrë pjesë e ndonjë negociate apo marrëveshje, “thjesht nuk është e vërtetë”.

“Marrëveshja e nënshkruar më 19 prill 2013 përfshiu gjashtë pika për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërkaq në marrëveshjen e fundit të Ohrit lidhur me udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar më 2013 qartë thuhet se integrimi i këtyre institucioneve në sistemin e Kosovës do të bëhet nën patronazhin e Asociacionit”, tha Rohde.

Sipas ambasadorit gjermane, interpretime të tilla “me kaq dykuptimësi” të dokumenteve ndërkombëtare, që janë ligjërisht të detyrueshme “shtojnë tensionet, nënjë kohë kaq të ndjeshme para mbajtjes së zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, kur komunitetet lokale serbe pritet të zgjedhin përfaqësuesit e tyre”.

“Prandaj, u bëj thirrje të gjithëve që të përmbahen nga deklaratat e tilla arbitrare, dashakeqe që mund të dëmtojnë proceset demokratike, sikurse janë zgjedhjet e ardhshme”, tha Rohde.

Rohde iu referua Marrëveshjes së vitit 2013 për themelimin e Asociacionit dhe Marrëveshjes së Ohrit të arritur më 2023. Kosova ende nuk e ka themeluar Asociacionin, ndërkaq Marrëveshja e Ohrit – që po ashtu parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë – ende nuk është zbatuar.

Më 18 shtator, Lista Serbe – partia kryesore e serbëve që gëzon mbështetjen e Beogradit – tha se “të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare flasin qartë se këto janë sisteme të ndara”.

Të gjitha institucionet shëndetësore në mjediset serbe në Kosovë funksionojnë në kuadër të sistemit të Serbisë.

Lista Serbe tha se shëndetësia dhe arsimi janë “shtyllat e mbijetesës së popullit serb dhe ashtu do të mbeten”.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, përmes një video-mesazhi më 18 shtator drejtuar serbëve tha se do të punojë për integrimin e shëndetësisë dhe arsimit në një sistem të vetëm.

Autoritetet e Kosovës javën e kaluar e pezulluan punën e Fondit për Sigurim Shëndetësor në Mitrovicën e Veriut, me arsyetimin se ky institucion nuk kishte dokumentacion të vlefshëm për ushtrimin e veprimtarisë.

Njëkohësisht u pezullua edhe puna e Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor.

Këto vendime nxitën reagime nga Gjermania dhe Bashkimi Evropian, të cilët i bënë thirrje autoriteteve të Kosovës të përmbahen menjëherë nga “shënjestrimi” i institucioneve shëndetësore që funksionojnë në sistemin e Serbisë.

Ato kërkuan të mos ndërmerren hapa të njëanshëm, duke theksuar se është e domosdoshme konsultimi me komunitetin serb.

Pas këtyre reagimeve, zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, mohoi se Prishtina zyrtare synon mbylljen e institucioneve shëndetësore, duke theksuar se inspektorët lokalë kishin ndërprerë “përkohësisht” punën e Fondit për Sigurim Shëndetësor.

Autoritetet e Kosovës i konsiderojnë paralele dhe të jashtëligjshme institucionet e Serbisë në Kosovë. Mbyllja e tyre ka nisur në fillim të vitit 2024, por këto veprime kanë hasur në kundërshtim të komunitetit serb dhe janë përballur me kritika nga bashkësia ndërkombëtare.

E ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, më 4 shtator deklaroi për një grup mediash që raportojnë në gjuhën serbe se të gjitha institucionet paralele të Serbisë, përfshirë ato arsimore dhe shëndetësore, duhet të integrohen në sistemin e Kosovës.(REL)