Ballina Europë Inteligjenca britanike lançon portal për rekrutimin e spiunëve të rinj nga mbarë...

Inteligjenca britanike lançon portal për rekrutimin e spiunëve të rinj nga mbarë bota, ja udhëzimet që jep MI6

26
0

Agjencia britanike e inteligjencës MI6 njoftoi të premten se po lançon një portal të internetit të errët për të rekrutuar spiunë të rinj në çdo cep të globit, veçanërisht në Rusi.

“Portali ynë dixhital është i hapur për ju”, tha shefi i MI6, Richard Moore, duke prezantuar këtë platformë të sigurt, të quajtur “Silent Courrier”.

Ai u bëri thirrje “atyre që kanë informacione të ndjeshme në lidhje me terrorizmin ndërkombëtar ose aktivitetet armiqësore të shërbimeve të inteligjencës së huaj” të kontaktojnë MI6 përmes kësaj platforme.

Ky portal i ri online do t’i lejojë MI6, të njohur në të gjithë botën falë James Bond, agjentit 007 të krijuar nga autori Ian Fleming, të “rekrutojë spiunë të rinj për Mbretërinë e Bashkuar në Rusi dhe pjesë të tjera të botës”, tha Sekretarja e Jashtme Yvette Cooper, sipas një njoftimi për shtyp të lëshuar.

Portali “do të ndihmojë në rekrutimin e agjentëve të rinj duke ofruar një mjet të sigurt komunikimi me Mbretërinë e Bashkuar”, thekson Ministria e Jashtme.

Udhëzimet për aksesin në portal shpjegohen në shumë gjuhë në kanalin YouTube të MI6. Agjencia britanike e inteligjencës rekomandon që të interesuarit të përdorin shfletuesin e sigurt Tor për të aksesuar rrjetin e errët.

Ai rekomandon që spiunët potencialë të përdorin VPN dhe pajisje të besueshme, si dhe adresa email-i që nuk janë të lidhura me to.

“Ndërsa bota ndryshon dhe kërcënimet me të cilat përballemi shumohen, ne duhet të sigurohemi që Britania të jetë gjithmonë një hap përpara kundërshtarëve të saj”, theksoi Yvette Cooper.