Ballina Ekonomia Nis procedura e licencimit të “Spitalla Solar”, park fotovoltaik me kapacitet 100...

Nis procedura e licencimit të “Spitalla Solar”, park fotovoltaik me kapacitet 100 MW

45
0

Enti Rregullator i Energjisë nisi procedurën e licencimit të shoqërisë “Spitalla Solar” për prodhimin e energjisë elektrike nga centrali fotovoltaik 100 MW në Spitallë të Durrësit.

Ky projekt, i fituar nga kompania franceze “Voltalia” pas një tenderimi ndërkombëtar të organizuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, do të kontribuojë në diversifikimin e burimeve të energjisë në vend.

Në mars 2021, “Voltalia” u shpall fituese me çmimin prej 29,89 €/MWh për një periudhë 15-vjeçare. Parku fotovoltaik do të ndërtohet në një sipërfaqe prej 120,85 ha në zonën e Parkut Industrial Spitallë, pranë Porto Romanos, dhe do të lidhet me rrjetin e transmetimit përmes një nënstacioni të ri 110 kV dhe një linje 110 kV.

Parku Fotovoltaik i Spitallës do të ketë kapacitet të instaluar 100 MW, nga të cilat 70 MW do të blihen nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) përmes një kontrate për blerjen e energjisë me çmim të paracaktuar, dhe 30 MW do të tregtohen në treg të lirë.

Voltalia fitoi ankandin e parë të qeverisë për Karavastanë në vitin 2020, ku ofroi një çmim 24,89 €/MWh për megavat. Sipas marrëveshjes, 70 MW janë të ndara për prodhim dhe shitje në treg të lirë dhe 70 MW për shitje me çmim të rregulluar.

Parku i Spitallës është i dyti më i madh i këtij lloji në Shqipëri dhe pritet të kontribuojë në përmirësimin e bilancit të energjisë në vend, duke reduktuar varësinë nga energjia hidro, e cila mbulon mbi 90% të prodhimit të energjisë.

Aktualisht, rreth 6% e energjisë totale në vend gjenerohet nga dielli, ndërsa pjesa tjetër vjen nga hidrocentralet e kaskadës së Drinit dhe HEC-et private e koncesionare.