Ballina Opinion Pse bën kaq shumë zhurmë “Karroca e Opozitës” Berisha?!

Pse bën kaq shumë zhurmë “Karroca e Opozitës” Berisha?!

29
0

Nga Neritan Vladi 

Thënia e vjetër, “Sa më bosh të jetë një karrocë, aq më shumë zhurmë bën”, duket se kuptimin më të plotë në skenën politike shqiptare, e merr pikërisht me mënyrën se si po e drejton PD-në dhe opozitën, Sali Berisha. Kjo frazë, e cila në thelb flet për zbrazëtinë që fshihet pas një zhurme të madhe, shpjegon fatkeqësisht, veprimet dhe mënyrën se si po funksionon “opozita” e tërhequr zvarrë nga Berisha në parlament dhe gjithë daljet publike.

Kjo nuk po ndodh se kreu i PD, nuk e di se po bën zhurmë politike në boshllëk. Ai është i ndërgjegjshëm dhe brenda planit të tij, tashmë 4 vjeçar. Gjithçka filloi kur kuptoi se uzurpimi i PD-së dhe përdorja e saj, ishte e vetmja rrugë për të shpëtuar trashëgiminë e tij politike dhe ekonomike pas shpalljes Non Grata, nga 2 superfuqi perēndimore, SHBA dhe Britania e Madhe.

Gjithashtu ai e dinte mirë se nuk bëhej fjalë thjesht për një “damkë ndërkombëtare”, por edhe për nisjen e një “ferri” penal, siç edhe ndodhi dhe po vazhdon. Pra Sali Berisha, i përballur me sfida të mëdha personale, pasi me ndihmën e hapur të Edi Ramës mori, (Tashmë pa rival), frenat e “Karrocës PD”, ka zgjedhur një rrugë opozitare që duket se mbështetet vetëm te parimi i zhurmës. Në vend të një opozite të strukturuar, të bazuar te propozimet konkrete, analizat e thelluara dhe zgjidhjet alternative, strategjia e tij ka qenë e fokusuar vetëm te përplasjet e forta, akuzat e ashpra dhe shfaqje “force”, të cilat meqenëse nuk ndiqen më as nga qytetarët dhe as nga shumica e demokratëve, nisin si luftë “epike” kundër “Regjimit të Ramaduros”, por përfundojnë gjithmonë si komedi.

Zhurma e opozitës, tashmë është kthyer në një mjet të vetëdijshëm për të tërhequr vëmendjen, për të mbajtur Berisha veten në lojën dyshe me Ramën, (Mazhornacë-opozitë), si dhe për të treguar një forcë, e cila edhe aq sa ka qenë për hir të opozitarëve që ekzistojnë me shumicë, po zbehet çdo ditë duke shkuar drejt shuarjes totale.

​Shembulli më i freskët dhe më domethënës i këtij teatri të opozitës Berisha, ishte zhurma e fundit në Parlamentin e Shqipërisë. Pamjet tashmë bajate të uzurpimit të foltores, hedhja e shisheve të ujit dhe Kushtetutës drejt Ramës dhe ministrave të tij, krijuan një imazh kaotik por pa asnjë rezultat. Ky imazh, tronditi ambasadorët në llozhat e parlamentit, por trishtoi edhe më shumë popullin opozitar, i cili vuan faktikisht qeverisjen e pafund të Edi Ramës. Ndonëse kjo lloj opozite krijon pamje dhe lajme një ditore “tronditëse”, në fakt ajo largon vëmendjen nga pyetja thelbësore: Çfarë po kërkon vërtet kjo opozitë? A është kjo zhurmë një protestë e drejtë kundër padrejtësive të vërteta të kësaj qeverisje të korruptuar dhe arrogante me njerëzit e thjeshtë dhe biznesin, jo të lidhur me të? Apo kemi të bëjmë me një përpjekje për të mbushur një zbrazëti programatike dhe politike, e cila mungon pasi kemi arritur në pikën që e gjithë partia, ka dhe duhet të ketë vetëm një hall, atë të Berishës me drejtësinë dhe “nongratat”?!

​Nëse karroca e opozitës së Berishës do të ishte plot me sinqeritet dhe idealizëm në kauzat e saj, me një platformë të qartë, me propozime bindëse për reformën zgjedhore, ekonominë apo sistemin e drejtësisë, e sigurt që zhurma nuk do të ishte kaq e nevojshme. Argumentet e forta pa hile dhe prapaskena, flasin vetë. Por, kur themeli politik është i dobët, kur përplasjet brenda opozitës janë të dukshme dhe kur lidershipi i tij personal është i venitur për shkak të ndëshkimeve penale dhe ndërkombëtare, zhurma bëhet mjeti i fundit për të mbrojtur pozicionin e vetëm ku gjendet Berisha. Ajo shërben për të krijuar përshtypjen se po ndodh diçka e madhe, edhe kur në thelb, përparimi i vërtetë politik i partisë nuk ekziston.

Por ​kjo nuk do të thotë se zhurma në politikë është gjithmonë e keqe. Protestat e zëshme dhe veprimet e guximshme duke frymëzuar popullin kundër kësaj lloj qeverisje të kapur “me presh në dorë” si hajdute, janë të domosdoshme për të thyer heshtjen dhe për të treguar pakënaqësinë. Por, kur zhurma bëhet qëllim në vetvete, në funksion të kryetarit i cili kërkon të blejë sa më shumë kohë për hallin e tij dhe jo mjet për të arritur një qëllim më të lartë, ajo kthehet në autogol. Dhe kështu po ndodh. Demokratët, shqiptarët, të ekspozuar vazhdimisht ndaj kaosit dhe dramës false që nuk i përfaqëson, lodhen dhe kthehen në indiferent ndaj kësaj lloj opozite. Zhurma e vazhdueshme e cila vetëm sa e gudulis, “Ramaduron”, një ditë e humbet edhe qëllimin për të cilin i duhet Berishës në hallin e vet, duke e lënë Karrocën-PD, edhe më bosh se ç’ishte në fillim, kur e uzurpoi.

​”Sa më bosh të jetë një karrocë, aq më shumë zhurmë bën”, është pikërisht ç’ka përfaqëson katandisja e PD-së sot. A do presin akoma opozitarët të dëgjojnë zhurmën e protestës së vërtetë, apo do tolerojnë të vazhdojnë të dëgjojnë zhurmën që po fsheh zbrazëtinë politike të një lidershipi të dobësuar dhe në përpëlitje pambarim, me shpresën se do mbyll hallet e tij me drejtësinë dhe ndërkombëtarët? Kjo mbetet pyetja thelbësore e cila do një përgjigje nga të gjithë ata që nuk kanë hall, “Hallin e Berishës”, por qeverisjen e Ramës, e cila po i çon jetët e tyre në greminë.