Ballina Politika Rrëmuja e djeshme në Kuvend, reagon ashpër delegacioni i BE: Për të...

Rrëmuja e djeshme në Kuvend, reagon ashpër delegacioni i BE: Për të ardhur keq që publiku u privua nga debati

18
0

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka reaguar pas miratimit në Kuvend të programit të qeverisë pa zhvilluar debatin parlamentar mes forcave politike.

BE thekson se Parlamenti duhet të shërbejë si forum për diskutim konstruktiv dhe transparent.

Delegacioni i BE nënvizon gjithashtu se është për të ardhur keq që publiku shqiptar u privua nga mundësia për t’u informuar plotësisht dhe për të ndjekur diskutimin mbi përmbajtjen e programit. Sipas BE-së, Parlamenti duhet të jetë një forum për debat konstruktiv, ku politika dhe pikëpamjet alternative të ballafaqohen në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse.

“Parlamenti duhet të jetë një forum për debat konstruktiv, ku diskutohen politika dhe paraqiten pikëpamje alternative, duke promovuar kështu një kulturë dialogu.

Në kontekstin e anëtarësimit, Parlamenti ka një rol vendimtar për të luajtur në debatin dhe miratimin e reformave legjislative që lidhen me BE-në, duke vlerësuar ndikimet e tyre dhe duke siguruar që ato të bazohen në një proces gjithëpërfshirës dhe transparent.

Debati mbi programin e qeverisë së re për katër vitet e ardhshme do të kishte ofruar një mundësi të rëndësishme për të diskutuar pikëpamje dhe qasje të ndryshme ndaj objektivit të anëtarësimit, i cili mbetet një ambicie ndërpartiake. Është për të ardhur keq që publiku shqiptar u privua nga mundësia për t’u informuar siç duhet dhe plotësisht rreth programit të Qeverisë dhe për të dëgjuar përfaqësuesit e saj të zgjedhur të diskutojnë përmbajtjen e tij, në përputhje me dispozitat e ligjit.

Delegacioni i BE-së në Tiranë do të vazhdojë angazhimin e tij për të forcuar rolin e parlamentit si një institucion që promovon dhe mishëron dialogun e hapur dhe gjithëpërfshirës politik. Ne besojmë se të gjitha partitë politike të Shqipërisë dhe të gjithë sektorët e shoqërisë do të jenë në gjendje dhe të gatshëm të luajnë rolin e tyre në kontributin drejt përparimit të Shqipërisë për përmbushjen e kërkesave të anëtarësimit në BE”, thuhet në përgjigjen për Euronews Albania.