Ballina Ekonomia Shqipëria, nën Europën dhe rajonin/ Inflacioni arrin në 2.3% në Gusht sipas...

Shqipëria, nën Europën dhe rajonin/ Inflacioni arrin në 2.3% në Gusht sipas matjeve të EUROSTAT

27
0

Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit, që mat rritjen e çmimeve sipas metodologjisë së ‘Agjencisë Europiane të Statistikave’, në muajin Gusht të vitit 2025 regjistrohet në 2.3%. Nga ana tjetër, inflacioni sipas ‘INSTAT’ për të njëjtën periudhë fiksohet po 2.3%. Theksojmë se metodologjia e matjes është e njëjtë me të dy metodat, por diferencat mes këtyre dy matjeve vijnë si rezultat i peshës që i jepet secilit grup të produkteve në llogaritjen e inflacionit.

Të dhënat zyrtare tregojnë se inflacioni mesatar në Europë përllogaritet në 2.4% dhe Shqipëria shihet e pozicionuar mbi këtë kufi për muajin Gusht, që do të thotë se aktualisht çmimet në vendin tonë janë më të ulta se mesatarja europiane. Ndërkohë, nga ana tjetër, vendet me normën më të lartë të çmimeve në Europë përgjatë Gushtit të këtij viti janë Rumania me 8.5%, Estonia me 6.2%, Serbia 4.9% dhe Mali i Zi me 4.7%.

Nëse analizojmë rritjen e çmimeve sipas vendeve të rajonit, shifrat tregojnë se Shqipëria pozicionohet relativisht mirë krahasuar me disa nga fqinjët në rajon, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, ku për muajin Gusht regjistrojnë një normë të rritjes së çmimeve prej 4.4% dhe 4.5%.

Ndërkohë, nëse flasim për ndryshimin vjetor të grupeve shohim se rritja më e madhe e çmimeve prej 9.9% vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë”, pasuar nga grupet “Hotele, kafene dhe restorante” me 3.6%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3.3%, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 2.7%, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1.7%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 1.6%, “Komunikimi” me 1.1%, “Shëndeti” dhe “Shërbimi arsimor” me 1.0% secili, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0.6%, “Veshje dhe këpucë” me 0.4%. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 0.7%.